Edi Rama për kontestimet e Beratit: Nuk kam hallin e Partisë, por të Erion Velisë
Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste Edi Rama ka qenë i zymtë herën e fundit kur ka dalë në publik për të sjellë pretendime të paprovuara mbi deformime apo zhbërje të procesit zgjedhor. Por për çudi zymtësia nuk ka pasur për shkak gjendjen e Partisë Socialiste dhe rezultatet e dobëta të saj në zgjedhje, por mosfutjen në Parlament të aleatit të ri të zotit Rama, Erion Veliaj. Për këtë të fundit Rama ka qenë gjithë kohës në siklet, sepse është investuar personalisht dhe ka bërë kujdes që të shfaqet edhe publikisht në disa raste me zotin Veliaj gjë që nuk e ka bërë me Milon apo Gjinushin gjatë fushatës elektorale edhe pse të gjithë këta pretendonin se ishin në një aleancë zgjedhore dhe ia kishin kërkuar Ramës me anë të SMS-ve disa herë.
Humbja e Erion Velisë e ka futur në sherr Ramën edhe me Erion Bracen, pasi ky i fundit u detyrua që të shkonte shtëpi më shtëpi në sokaqet e Beratit e të kërkonte që të mos votohej Veliaj. Plus kësaj u dha urdhër edhe komisionerëve të Partisë Socialiste që të shpallnin të pavlefshme vota të Velisë dhe ky i shkreti kujton se votat nuk ia kanë numëruar saktë komisionerët e PD-së duke besuar edhe garancitë e Ramës se do i ruhej vota.
Por ja që Edi Rama duke bërë të paditurin për prapaskenat e ka marrë disa herë në telefon Erionin për ta ngushëlluar dhe për t’i thënë se do i rregullojë një vend edhe më të mirë se deputet pasi ka shumë vite në krye të Bashkisë së Tiranës. Rama mësohet se i ka thënë gjithashtu se mund ta fuste në Parlament nëse do të ishte vetë deputet, por që nga momenti që edhe ai mbetet jashtë Parlamentit nuk mund të bëjë gjë dhe të mos mërzitet pasi janë me status të barabartë nëse përjashtojmë se ai vazhdon të japë leje ndërtimi me formulën “një pallat një votë”.
Por Erion Veliaj nga burime të besueshme mësohet se nuk është ngushëlluar aspak dhe ka filluar që të shfaqet në publik duke bërë presion se do të deklarojë se brenda PS-së Rama ka klane që e dëmtojnë dhe që janë përfaqësues të politikës së vjetër. Edi Ramës i shkuan fjalët në vesh dhe përveçse ngushëllimeve i është lutur Erion Velisë që të mos bëjë asnjë deklaratë mediatike pasi situata është delikate. Gjithsesi në daljen e fundit publike Erion Veliaj edhe pse i dërrmuar shpirtërisht pranoi se politika në Shqipëri është pak më e komplikuar se formula që ai recitonte çdo herë nëpër ekranet e televizioneve dhe se të dalësh para qytetarëve nuk është njësoj si të jesh përballë Edi Ramës apo Eduart Shalsit apo të shkosh tek emisione pallavrash. Lidhja shpirtërore e Edi Ramës me Erion Velinë duhet shpjeguar me papërgjegjshmërinë e të dyve dhe pamundësinë për të ndërtuar forca të vërteta politike me alternativa konkurrente.
Duke trukuar sondazhet që i kishte porositur vetë Edi Rama u thoshte miqve të Erion Velisë dhe vetë atij që të shkonin e të rrinin tek vendi i caktuar ku bëhej sondazhi në Tiranë dhe disa rrethe dhe Veliaj virtualisht merrte përqindje përtej logjikës.
Të gjitha këto Rama ende nuk ua ka sqaruar bashkëpunëtorëve të tij të Partisë Socialiste, por me mbarimin e shpresave për pushtetin qendror shuhen edhe shpresat e Erion Velisë që të shohë nga afër sallën e Parlamentit shqiptar.
...