Muhedini: Kemi një marrëveshje me kryetarin e PD-së, jemi aleatë të koalicionit “Aleanca për ndryshim”

Partia për Drejtësi dhe Integrim (PDI), siguroi dje elektoratin e vet se do të bashkëpunojë me PD dhe do i përmbahet paktit që kanë nënshkruar para zgjedhjeve parlamentare. PDI, sqaroi dje gjithashtu se nuk i ka kërkuar PD-së rinumërim të votave në qarkun e Fierit.
Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI), Tahir Muhedini, ka denoncuar dje, gjatë një konference për shtyp, spekulimet e disa mediave të shkruara, që siç u shpreh ai, “kanë dezinformuar opinionin publik për çarje të koalicionit mes PDI-së dhe PD-së”.
“Deklaroj publikisht se kemi një marrëveshje me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, dhe nga kjo marrëveshje nuk ka lëvizur asnjë pikë e asnjë presje”, tha Muhedini, duke kërkuar nga media që të përcjellë realitetin me paanësi dhe profesionalizëm.
Muhedini theksoi se PDI në këto momente, po diskuton fitoren e një mandati të dytë deputeti në qarkun e Fierit dhe në këtë kuadër ai ka kërkuar ndihmën e komisionerëve, vëzhguesve dhe numëruesve të votave për një proces transparent në këtë drejtim.
Partia për Drejtësi dhe Integrim ka një mbështetje të gjerë në Qarkun e Fierit dhe Vlorës, ku banon një pjesë e konsiderueshme e komunitetit çam.
PDI, e njohur si forca që mbron të drejtat e komunitetit çam, deri tani ka siguruar në Qarkun e Vlorës, një deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
“Marrëveshja jonë politike me koalicionin ‘Aleanca e Ndryshimit’ nuk është vënë asnjëherë në dyshim dhe se mbetemi ne pritje te rezultateve përfundimtare që do të nxjerr Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, ka siguruar më tej Muhedini.
Ndërkohë mësohet se Partia për Drejtësi dhe Integrim në qytetin e Vlorës, ka festuar natën midis të martës e të mërkurës, hyrjen ne parlament të kandidatit të saj për deputet. Festa ka filluar spontanisht për të vazhduar përgjatë gjithë natës. Një ditë më vonë, qytetarë të komunitetit çam, interesat e së cilës mbron kjo parti, shprehen se ky është një moment historik që mund të ndikojë në zgjidhjen e çështjes së tyre.
...