Edi Rama përkujton çlirimin e Tiranës, Basha nuk e njeh këtë ditë
Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës për 11 vjet rresht, Edi Rama nuk mund të mos nderonte të rënët për çlirimin e këtij qyteti. Ashtu siç ka bërë çdo vit kur ishte kryetar i Bashkisë, edhe të enjten ai ka përkujtuar ditën e çlirimit të qytetit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi homazhe tek monumenti i “Ushtarit të Panjohur”, në qendër të kryeqytetit, me rastin e 67-vjetorit të çlirimit të Tiranës. I shoqëruar dhe nga përfaqësues të tjerë të opozitës, kryetari i PS-së vendosi një kurorë me lule në nderim të të rënëve për çlirimin e kryeqytetit. Ndërkohë kryebashkiaku i ri i Tiranës Lulzim Basha duket se nuk e njeh këtë ditë, pasi partia që ai përfaqëson vazhdon të ketë një qëndrim tjetër ndaj kësaj lufte dhe të mos e përkujtojë çlirimin e vendit nga nazi-fashizmi. Por Basha nuk ka mundur të ndalojë nënkryetarin e bashkisë, përfaqësues i një partie të majtë, LSI-së, që të bëjë nderimet e rastit. Nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku dhe Edmond Panariti, nderuan dëshmorët e Atdheut të rënë për çlirimin e Tiranës, në përkujtim të 67 vjetorit të kësaj ngjarjeje. Dy nënkryetarët e Bashkisë, krerët e Këshillit Bashkiak, përfaqësues të Prefekturës së Tiranës, Këshillit të Qarkut, kryetarët e njësive bashkiake dhe të Shoqatave të Veteranëve të Luftës, vendosën kurora pranë Monumentit Nënë Shqipëri. Në përfundim të ceremonisë pranë varrezave të Dëshmorëve të Atdheut, Panariti, i pyetur nga media për arsyen e ceremonisë tek memoriali Nënë Shqipëri, nënkryetari i Bashkisë u shpreh se është një zgjedhje e natyrshme. “Mendoj se është një zgjedhje e natyrshme, pasi luftëtarët e Rezistencës që u sakrifikuan për çlirimin e qytetit i takojnë dëshmorëve të Shqipërisë. Ata prehen pranë dëshmorëve të tjerë dhe kjo ditë e çlirimit të qytetit është në kujtim e në respekt të tyre dhe është e natyrshme që edhe homazhet të bëhen pranë Varrezave të Dëshmorëve, u shpreh Panariti.