E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia: Gati të presim serbët e Kosovës

(E plotësuar) Rusia është gati të strehojë në territorin e saj serbët e Kosovës që nuk ndihen të mbrojtur nga Beogradi dhe kanë kërkuar nënshtetësi ruse.

Deklarata është bërë nga ambasadori rus pranë NATO-s, Dmitri Rogozin, i cili ka theksuar se Moska i pret me krahë hapur “vëllezërit serbë”.

Megjithatë, mikpritja në fjalë, sipas analistëve të çështjeve ndërkombëtare, vjen edhe si pasojë e problemeve demografike që ka Rusia.

Tre ditë më parë, disa shoqata serbe nga veriu i Kosovës i dërguan një letër ambasadës ruse në Beograd, përmes të cilës kërkonin që mijëra serbëve të Kosovës t’u mundësohej marrja e shtetësisë ruse.

Në letër thuhej se, ky vendim i serbëve të Kosovës vinte si rrjedhojë e revoltës dhe dëshpërimit të tyre ndaj pushtetit të Beogradit.

“Ky veprim është një manifestim i pakënaqësisë dhe njëherësh një vërejtje për pushtetin tonë në Beograd, sepse tregon se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë kanë më shumë besim tek një shtet tjetër sesa tek vetë Serbia”, thuhej në letër.

Lavrov: I kuptojmë serbët e Kosovës që kërkojnë pasaporta ruse

Kremlini i “kupton plotësisht” kërkesat masive të serbëve, që jetojnë në Kosovë, për pasaporta ruse dhe do t’i shqyrtojë këto kërkesa, në mënyrë të kujdesshme, tha sot ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Në kuptimin politik, ne i kuptojmë plotësisht motivet e serbëve, që jetojnë në Kosovë, për të bërë aplikime të tilla... dhe ne do t’i studiojmë ato në mënyrë të kujdesshme”, tha Sergei Lavrov, raporton agjencia Interfaks.

Këto komente të sotme të zotit Lavrov në konferencën për shtyp në Moskë, u bënë dy ditë pasi aktivisti serb, Zllatibor Gjorgjeviq, ka shpallur në Kosovë, se e ka filluar një fushatë për marrjen e shtetësisë ruse për më tepër se 20 mijë serbë, që jetojnë në Kosovë, dhe se ka filluar dorëzimin e kërkesave për pasaporta te Ministria e jashtme e Rusisë.

Sipas zotit Lavrov, me këto kërkesa do të veprohet “në harmoni me ligjin rus të imigrimit”. /rel/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›