Vatikani, Papa padi ndaj firmës së modës Benetton
Vatikani lajmëroi se do të nisë një procedim ligjor ndaj kompanisë Benetton, e cila publikoi një reklamë në të cilën Papa puthej me një imam mysliman.
Vendimi i Selisë së Shenjtë vjen pavarësisht se kompania e veshjeve lajmëroi gjatë ditës se do të tërhiqte publicitetin.
Fushata e re publicitare e Benetton përfshin imazhe të fotografive të montuara të lidereve botërorë duke u puthur me njëri-tjetrin në buzë. Në deklaratën e tij, Vatikani shprehej se do të merrte masat e domosdoshme ligjore, për të ndaluar përdorimin e ardhshëm të imazhit, përfshi në media.
****
Fushata provokuese e Benetton
Një puthje. Në plan të parë. Xhozef Ratziger me shpinë, me një dorë të hedhur në qafë. Është dora e Ahmed el Tayyeb, imami i Al Ahzar, (xhamia e Kajros, institucioni më i lartë i islamit sunit) që puth në buzë Papën.
Fotoja gjigante është shfaqur mbi urën Castel Sant’Angelo, vetëm pak metra larg nga sheshi Shën Pjetër, në Itali. Në fakt është një provokim firmato, mban emrin United Colors of Benetton.
Një tjetër puthje e pazakontë është shfaqur edhe në Milano, fillimisht para bursës e më vonë edhe në Piazza Duomo. Kësaj here protagonistët e puthjes kanë qenë presidenti amerikan Barak Obama dhe homologu i tij kinez, Hu Xhintao.
Fushata publicitare e United Colors of Benetton është kundër urrejtjes dhe mban emrin Unhate. Iniciativa pritet të prezantohet sot para shtypit ndërkombëtar në Paris. Detajet e tjera mbeten të panjohura, pavarësisht se fotoja e puthjes së Papës me imamin e Kajros rikonfirmon edhe një herë stilin provokues të fushatave të kësaj marke.
United Colors of Benetton njihet për fushatat e saj provokuese që bazohen në thyerjen e tabuve. (Marrë nga Corriere della Sera)
