E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama përpiqet të maskojë pasurinë e vjedhur me karikatura politike”

Reagon PD

TIRANE - Partia Demokratike me anë të zëdhënëses, deklaroi dje se, “me sulmet e përditshme familjare ndaj Kryeministrit, Edi Rama për të cilin vlerat familjare nuk ekzistojnë, përpiqet të maskojë fshehjen e pasurisë së vjedhur që ai bën me 2K me Edilët me Shkrelat me Eftimët, me Fidelat me Besnikët e Dashët e tij”.
Pas një deklarate të Elisa Spiropalit, e cila për të dytën ditë radhazi u shfaq para medieve, thjesht e vetëm, për të përmbushur një kënaqësi të radhës, për ish kryetarin e saj, që prej ditësh të tëra vajton humbjen e zgjedhjeve dhe tani së fundmi edhe humbjen e partisë, i kundërpërgjigjet përsëri Partia Demokratike, duke i bërë thirrje Ramës, për të disatën herë, që të bëjë transparente pasuritë që zotëron në bashkëpunim me Fidelin, Dashnorin dhe Besnikun.
“Kryetari pa mandat i Partisë Socialiste që i dha 30 leje ndërtimi Delijorgjit e që po ndërton qytezën me të, që 70 për qind të lejeve të ndërtimit në Tiranë i ndau me Shkrelin dhe Eftimin, që zotëron përqindjen e tij në kullat që po ndërton Fideli apo në ato që po ndërton Dashi i tij, vazhdoi sërish sot me sulmet e radhës ndaj familjes së Kryeministrit”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Atëherë kur ish kryesocialisti duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë, për fshehje të pasurisë së tij, pasi për këtë ekzistojnë të gjitha dokumentet që e faktojnë, po mundohet të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit publik, por jo atë të organeve hetimore, të cilat i kanë avancuar ato në nivelin intensiv. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›