Gallup, shqiptarët mbështesin në masën 71 për qind procesin e anëtarësimit në BE
TIRANE - Shqipëria vazhdon të jetë vendi më entuziast i rajonit, kur flitet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e një sondazhi të fundit të Institutit Gallup, ku ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit, mbështetja shqiptarë për procesin e anëtarësimit është në masën 71 për qind.
Shqiptarët presin gjithashtu, që brenda këtij viti të nisin negociatat për anëtarësim në union. Për qeveritë e vendeve ballkanike, që janë tashmë në rrugën e anëtarësimit, ky mbetet objektivi kryesor, kurse për qytetarët respektivë, shpresat për hyrjen një ditë në union janë zbehur.
Anketa tregon se shkallë më të ulët entuziazmi për një anëtarësim në bllokun evropian, shfaqin qytetarët e Serbisë, si edhe serbët e Bosnje Hercegovinës e Kosovës. Qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, shpresojnë ti fillojnë negociatat për anëtarësim në BE vitin e ardhshëm dhe presin ta shohin veten brenda unionit, gjate vitit 2015.
Në Kroaci, shtet i cili është më pranë BE-së, vetëm 29 për qind e qytetarëve mendojnë se anëtarësimi do të ishte i mirë për vendin e tyre. Sipas anketës, kroatët shpresojnë qe vendi i tyre do të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2013. Pesimistët më të mëdhenj rreth mundësive për anëtarësim të vendit të tyre në BE janë qytetarët e Bosnjë Hercegovinës, të cilët mendojnë se shteti mund të bëhet pjesë e Unionit vetëm në vitin 2020.