“Edi Rama po injoron institucionet e shtetit”
Auditimi ndërkombëtar i financave të shtetit - reagojnë ekspertët
Deklarata e Edi Ramës në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS se do të pajtojë një kompani ndërkombëtare për auditimin e financave të shtetit, ka sjellë reagimin e ekspertëve të ekonomisë. Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi, edhe pse bie dakord me vendimin për auditimin e shtetit, thotë se në përmbushje të këtij prioriteti nuk mund të injorohen institucionet shqiptare si auditimi i brendshëm i çdo shoqëria publike, auditi i jashtëm i çdo bilanci financiar vjetor, apo drejtoria e auditit në Ministrinë e Financave. “Mendoj se skanimi i situatës aktuale financiare mund të mbështetet fare mirë edhe në kuadrin ligjor dhe institucional të mekanizmave ekzistues, të cilat duhet të prodhojnë atë raport për të parë se ku ka rrjedhje të fondeve publike dhe njëkohësisht për të mbyllur shtigjet e abuzimit me fondet publike”- thotë ai. Javën e kaluar Edi Rama deklaroi se do të bëjë auditim ndërkombëtar për ekonominë dhe financat e shtetit, sipas modelit sllovak, të dhënat e të cilit, sipas tij mund të rezultojnë tronditëse. Por, i pari që reagoi dhe hodhi poshtë si shkelje të Kushtetutës propozimin e Ramës ishte ish ministri socialist i Financave, Arben Malaj. “Kushtetuta e Shqipërisë ngarkon Kontrollin e Lartë të Shtetit për kontrollin e financave të vendit”- u shpreh Malaj. Sipas tij, auditues i huaj nuk mund të anashkalojë institucionet shqiptare.