E Shtunë, 31 Tetor 2026

TAP - qeveria ka parakontraktuar 750 milionë metër kub gaz

08-07-2013 / Gazeta 55

Detajet e ndërtimit të gazsjellësit TransAdriatik Pipeline (TAP)/ “Shpronësimi i pronarëve, që në fillim – përdorimi i gazit natyror ul me 40% koston e energjisë”

Pas miratimit të planit kombëtar sektorial për gazsjellësin Trans-Adriatik, përgjegjësi i sektorit të Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjetikës, Stavri Dhima bën të ditura detajet e projektit që shndërron Shqipërinë në pikë kalimi të gazit natyror që vjen nga Azerbaxhani, me destinacion Evropën perëndimore. “Pjesa shqiptare hyn në zonën e Korçës, në luginën e Devollit, afër Bilishtit. Më tej, vazhdon në Skrapar, del në Çorovodë, zbret në fushat e Beratit. Dalja në det është në zonën e Semanit në Fier, prej andej në Detin Adriatik del në Leçe të Italisë”, shpjegon zoti Dhima.
75% e territorit shqiptar në të cilin do të ndërtohet TAP-i është tokë private e cila do të kompensohet në dy forma: “Nëse bëhet fjalë për trasenë, do të bëhet një kontratë qiraje, marrëveshje mes kompanisë TAP dhe pronarit. Atij i jepet një sasi të ardhurash për atë sipërfaqe ku përfshihet gazsjellësi. Kjo sasi i jepet pronarëve që në fillim.
Për zonat në të cilat do të ndërtohen stacionet e valvulave apo kompresorëve që janë dy, Bilisht dhe Seman, do të kalojnë në pronësi të përhershme të TAP-it dhe do të bëhet kompensimi i tyre konform rregullave”. Përdorimi i gazit natyror ul me 30 deri në 40% koston e energjisë. Pas marrjes së gazit të parë në 2019, qeveria shqiptare ka parakontraktuar një total prej 750 milionë metër kub gaz e që është parashikuar të shkojë për industrinë dhe TEC-et: “Konsumatorët e mëdhenj si TEC-i i Vlorës, Metalurgjiku dhe fabrikat e çimentos do të kenë një konsum të konsiderueshëm që do të jetë i disponueshëm që në fillim”. Por e njëjta gjë duket se nuk do të ndodhë me konsumatorët e thjeshtë, pasi ndërtimi i tubacioneve për shpërndarjen e gazit natyror në familjet shqiptare kërkon një investim shumë herë më të madh: “Kjo lidhet edhe me nevojat për gaz. Pozicioni ynë gjeografik është i tillë që nuk e ka domosdoshmëri. Kjo mungesë emergjence bën që investimi të jetë i kujdesshëm”.
Gazsjellësi Trans Adriatik  (TAP) është një projekt rajonal i gazit natyror,  i cili do të  transportojë gaz natyror nga rezerva e fushës Shah Deniz II në Azerbajxhan, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë,  detit  Adriatik dhe do të  dalë  në  breg në  Italinë  e Jugut dhe më  tej në  tregjet europiane. Gjurma e TAP-it do të jetë afërsisht 870 kilometra e gjatë (përafërsisht: Greqi 548 km; Shqipëri 209km; seksioni detar në detin Adriatik 105 km; Itali 4 km). Pika më e lartë e gazsjellësit TAP do të jetë 1800 metra në malet e Shqipërisë, ndërsa pika e tij më e thellë në seksionin detar do të jetë  810 metra nën nivelin e detit.  Gazsjellësi  është  projektuar  për të  zgjeruar kapacitetin e transportit nga 10 në 20 mmk gaz natyror në vit, në varësi të prodhimit. Projekti TAP  është  shumë  i rëndësishëm për Shqipërinë  sepse ai do të mundësojë  lidhjen e Shqipërisë me rrjetin e gazit natyror të  të ashtuquajturit Korridor  Jugor  të Gazit,  duke rritur sigurinë  kombëtare dhe të  përgjithshme të  Europës për energji dhe  duke kontribuar në diversifikimin e furnizimeve të rajonit me gaz. Projekti TAP është projekti i parë,  i cili do të mundësojë kalimin tranzit të gazit natyror përmes territorit shqiptar  dhe do të  krijojë  mundësinë  e furnizimit me gaz natyror të  tregut shqiptar. Projekti TAP do të jetë një nga investimet e huaja të drejtpërdrejta më të mëdha në Shqipëri dhe si i tillë do të gjenerojë përfitime të konsiderueshme dhe perspektiva për industrinë shqiptare dhe komunitetet lokale.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›