“Edi Rama po krijon alibi të tërhiqet nga debatet publike me Partinë Demokratike”
Denoncon Partia Demokratike
TIRANE - Partia Demokratike deklaroi dje se ethet e trishta dhe dështimet e njëpasnjëshme që kanë pllakosur Edi Ramën, po e detyrojnë atë të tërheqë Partinë Socialiste nga debatet publike me Partinë Demokratike.
Zëdhënësja e selisë së PD-së, u shpreh dje se “Edi Rama me dëshpërim të thellë duket se po konsideron të tërheqë Partinë e tij nga debatet publike me Partinë Demokratike. Kjo sepse ai vlerëson se dështimet e njëpasnjëshme në debate të përfaqësuesve të politikes së re e të vjetër po i shkakton rënie të mëdha Partisë Socialiste”, tha më tej zëdhënësja.
Sipas saj, Rama, pasi tërhoqi nga debatet ekipin e të rinjve të përbërë nga aleatët e tij të
G 99 serviri me dështim ekipin e dikurshëm Ruçi-Cani tani duket se ka vendosur të gjejë pretekste të tërhiqet përfundimisht nga debatet. “Partia Demokratike deklaron se ky është një vendim i paprecedent në historinë 19 vjeçare të pluralizmit politik. Debate me kundërshtarët është një detyrim moral që politikanët kanë përpara shoqërisë ndaj edhe PD e konsideron këtë akt si një akt burracaku të dëshpëruar”, përfundoi zëdhënësja e PD-së.