Fakti/Në 2007-n, Rama ishte kundër të gjithëve, bllokoi për një muaj procesin zgjedhor
Kryetari i PS-së ka frikë, nuk do përballje elektorale por veç rezultate në tavolinë
TIRANE - Kapërcyelli i viteve 2006-2007 do të ishte disi i pazakontë për politikën shqiptare. Ndërsa pragfesta e ndërrimit të viteve shoqërohej zakonisht me një rënie të intensitetit të zhvillimeve politike, tensioni ato ditë ishte në kulm. Krerët e të gjitha partive politike parlamentare u ngujuan për ditë me radhën në selinë e presidencës në përpjekje për të arritur një marrëveshje mbi rregullat e lojës në zgjedhjet lokale. E kur gradualisht skeptikët në anën e opozitës u reduktuan, i vetmi që ngulmoi deri në fund në kërkesat e tij që rinovoheshin nga ora në orë ishte pikërisht kryesocialisti Edi Rama. Dhjetëra orë bisedimeve dhe raunde negociatash, nuk e kandisën për ditë me radhën kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, që të tërhiqej nga qëndrimi i tij bllokues për kompromisin mes pozitës dhe opozitës, duke propozuar kërkesa absurde për përjashtimin e certifikatave nga procesi zgjedhor. Edhe pse kjo çështje u duk sikur u zgjidh me nënshkrimin e marrëveshjes së 30 dhjetorit 2006 nga të dy palët në prezencën e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtarë, Rama në mënyrë individuale e shkeli këtë marrëveshje vetëm pak orë më vonë, duke mahnitur me papërgjegjshmërinë e tij jo vetëm opinionin publik vendas, por edhe atë ndërkombëtar.
Qëndrime të tilla shkaktuan asokohe edhe revoltë në gjirin e grupit parlamentar socialist të cilët në një nga mbledhjet e atyre ditëve u distancuan qartë nga qëndrimet ekstremiste të Ramës për shmangien e PS-së nga procesi zgjedhor.