E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Me një leje ndërtimi, Rama mund të paguajë kartat e identitetit për qytetarët e Tiranës”

Neritan Ceka e cilëson largimin e opozitës si një alibi për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit

TIRANE - Kreu i PAD-ës, parti e cila para dy ditësh zyrtarizoi koalicion e djathtë me PD-në, e ka cilësuar largimin e opozitës nga punimet e djeshme të Kuvendit të pajustifikueshëm, dhe argumentin e sjellë nga Kryetarja e Grupit Kuvendor të PS-së Valentian Leskaj thjesht një alibi. Ceka e vlerësoi se reagimi i opozitës “është vetëm një dëshmi e faktit të pranimit të humbjes me 28 qershor, nuk mund të jetë argument pajisja e shtetasve me kartë identiteti, pra ajo pjesë e cila nuk ka pasaporta, për të damkosura të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Ceka.
Kreu i Aleancës Demokratike, gjatë fjalës së tij kujtoi dhe masat që janë marrë nga qeveria për disa kategori të caktuara qytetarësh.
“Unë mendoj që qeveria ka marrë disa masa që janë shumë sociale, pajisja qoftë e tetraplegjikëve, qoftë e shtetasve në nevojë, të gjithë atyre që marrin ndihmë sociale, e studentëve me çmim nën kosto.
Duke hedhur poshtë argumentet e paqëndrueshme të socialistëve, Ceka u shpreh se, “nëse PS ka një keqardhje për kartat e identitetit, le të paguajë ajo për qytetarët, duke përfshirë këtu dhe ato që kanë mundësi për ta marrë kartën, dhe ata që kanë paguar dhe ata që kanë aplikuar, le t’i paguajë PS. Vetëm me një leje ndërtimi Edi Rama do të mund t`i paguante të gjitha kartat e identitetit të qytetarëve të Tiranës”.
Aleancisti Ceka nuk la pa përmendur lidhjet e kreut socialist me biznesmenin Mihal Deliorgji, duke kujtuar se kryebashkiaku, “i ka dhënë 40 leje ndërtimi vetëm Deliorgjit, imagjinoni që për çdo leje sa ka marrë ky zotëri dhe keqardhjen mos ta tregojë mbi paratë e taksapaguesve shqiptarë. T`i japë një pjesë të këtyre parave për anëtarët e PS-së që të dalin të demonstrojnë”, tha Ceka.
S. T.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›