E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama s’heq dorë nga bakshishi i lejeve të ndërtimit, është marrë peng nga karteli i ndërtimit”

Merr formë komisioni hetimor për kryebashkiakun e Tiranës. Sot mbledhja e KRT-së së Tiranës

TIRANE - Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka informuar dje në Parlament lidhur me ecurinë e iniciativës së marrë nga grupi i PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor, për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Paloka informoi “se procedurat për Komisionin Hetimor po kryehen, deputetët iniciatorë po nënshkruajnë për këtë komision dhe së shpejti do t`ua paraqesim ju, zonja Kryetare, me kërkesën që të veprohet në mënyrë të përshpejtuar”.
Duke folur për shkeljet e bëra në bashkinë e Tiranës, Paloka tha se “Prej shumë kohësh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama  e ka shndërruar Bashkinë e Tiranës në një institucion, jo që të zgjidhë problemet e qytetarëve shqiptarë, por në një mekanizëm abuziv ndaj të drejtave dhe interesave të tyre”.
Duke vijuar më tej, Paloka deklaroi: “Në vazhdën e shkeljeve flagrante të ligjeve të shtetit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka kthyer Këshillin e Rregullimit të Territorit të Tiranës në një instrument që miraton leje dhe sheshe, sipas interesave të klaneve dhe klientelizmit të përcaktuara nga preferencat e kryebashkiakut, duke shkelur ligjin dhe në kundërshtim flagrant me parimet e qeverisjes në shërbim të qytetarëve, lejet e ndërtimit janë kthyer në një burim të mirëfilltë fitimi për kryebashkiakun e Tiranës dhe grupin e tij klientelist, duke krijuar kartelin e ndërtimit të udhëhequr prej tij”.
Më tej deputeti demorkat vijoi me akuza ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. “Mjafton të kujtoj që për një nga lejete që është dhënë vetëm një javë më parë prej sipërfaqës 2000 mijë metra katrorë Rama dhe karteli i tij mbushin xhepat me miliona euro. Është ky njeriu që qan përditë për të varfërit e Tiranës që nuk paguakan dot 2000 mijë lek të vjetra, ndërkohë që brenda të njëjtës ditë fut në xhepin e tij të paktën 2 milion euro, le t`i bëjnë llogaritë qytetarët e Tiranës”.
Paloka nuk ka kursyer as akuza konkrete për kryesocialistin, duke kujtuar se “në datën 22 mars, ditën e diel ‘Atelje 4’ ka parqitur në KRT 6 projekte të cilat janë votuar nga vetë Alban Eftimi si anëtar i KRT-së së Bashkisë, po në mbledhjen e kësaj date studioja e  Artan Shkreli ka paraqitur projekte të cilat janë votuar po nga vetë ai i cili është dhe anëtar i KRT-së”.
Në këtë mbledhje e cila ishte planifikuar për të dielën e kaluar, por që sipas Palokës do të zhvillohet ditën e sotme “ishte projektuar që këta njerëz, po të njëjtët persona të merrnin përsëri leje, jo vetëm nga projektet publike që lidhen direkt me Ramën, por edhe për punë private. Lejet e ndërtimit që do të jepen nesër i përkasin po këtij karteli, 14 leje ka prapë Alban Eftimi për të marrë”.
Pas këtyre fakteve të paraqitura, Paloka u shpreh: “Ky është rasti më flagrant i konfliktit të interesit në historinë 17 vjeçare të këtij vendi. Lejet e dhëna nga KRT-ja nuk janë për qytetarët e Tiranës, por janë leje vetëm për kartelin Rama”. Paloka theksoi se “komisioni hetimor do të ngrihet dhe do të hetojë të gjitha këto çështje, për të treguar se përse ky zotëri prej gati 10 vitesh nuk miraton planin urbanistik të Tiranës”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›