E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i Skënderajt, i jep Edi Ramës titullin “Qytetar Nderi i Drenicës”, pse i ka dhënë serbomadhit Goran Bregoviç, Çelësin e Artë të Tiranës

30-05-2013 / Gazeta 55

Asnjë lidhje tjetër s’ka Edi Rama me Drenicën, UÇK-në dhe Kosovën, përveç dhënies së Çelësit të Artë të Tiranës, kompozitorit serb Goran Bregoviç, i shumënjohur gjithandej si kompozitori i marsheve çetnike, me të cilat falangat serbe kryen spastrimet etnike në Kroaci, Bosnje e më 1999 edhe në Kosovë

Vendimi i Komunës Skënderaj, për dhënien e titullit qytetar-nderi, Edi Ramës, kryetarit të PS-së, ka çuditur opinionin publik në Kosovë dhe është pritur me qesëndi në Tiranë. Njoftimi është kryer përmes një përlasjeje politike në këshillin komunal, por edhe pa e publikuar motivacionin për të cilin është dhënë çmimi. Megjithatë, në Tiranë përgjigjja është gati dhe e pangatërrueshme. E vetmja lidhje që Edi Rama ka me Kosovën (që ia njeh publiku), është dhënia e Çelësit të Artë të Tiranës, kompozitorit serb Goran Bregoviç, i shumënjohur gjithandej si kompozitori i marsheve çetnike, me të cilat falangat serbe kryen spastrimet etnike në Kroaci, Bosnje e më 1999 edhe në Kosovë. Lajtmotivi i këtij kontributi ngërthehet tek marshi “kallashnikov”, i pangatërrueshëm si një marsh i së keqes, që vjen nga Moska për të kryer spastrim etnik ndaj popullsive josllave në Ballkan. Kjo lidhje e Edi Ramës me Kosovën ka pataksuar drenicarët, por jo Edi Ramën, i cili ka shprehur emocionin, se si i është bërë kjo surprizë (lexo qytetaria e nderit në kështjellën e UÇK-së, për shkak të vlerësimit që ai i ka bërë kompozitorit të spastrimit etnik të shqiptarëve).
Ky vendim krejt i njëanshëm s’është gëlltitur dot nga subjektet politike opozitare të komunës së Skënderajt dhe të shoqërisë civile, të cilat e kanë kundërshtuar propozim-vendimin e kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, dhe rekomandimin e Komitetit për Politika e Financa, që Edi Rama të shpallet qytetar nderi i Skënderajt. Përfaqësues të subjekteve politike opozitare e vlerësojnë Edi Ramën si njeriun që nuk ka dhënë asnjë kontribut, as për UÇK-në, as për Drenicën e as për Kosovën. Fadil Geci (LDD), ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë se ky vendim dhe vetë Edi Rama nuk janë në frymën e Drenicës. “Unë e kam thënë edhe më përpara dhe tani po del të jetë e vërtetë, se raportet private në mes të figurave të ndryshme nuk mund të reflektojnë te qytetarët dhe të përcillen me vendime që janë të papranueshme dhe të dëmshme, sidomos për Drenicën. Drenica nuk frymon me socialistët dhe me njerëzit e sojit të Edi Ramës dhe të Fatos Nanos. Pa dyshim, Edi Rama nuk ka asnjë kontribut për Drenicën, për UÇK-në edhe më pak, e për Kosovën të mos flasim. Ai vjen në Kosovë kur e thërrasin jaranat e tij, i bëjnë muhabet dhe e përdorin për qëllime të veta, por ai vjen edhe për interesa të veta. Kjo mënyrë nuk mund të tolerohet dhe, së fundi, një kuvend, i cili përbëhet nga të zgjedhur të popullit nuk do të duhej ta merrte një vendim të tillë, sepse nuk do të shkojë shumë gjatë, e atij sigurisht se do t’i merret ky titull”, ka thënë Geci.
Ndërkaq komisioni për informim i degës së LDK-së, nëpërmes një reagimi, ka thënë se shpallja qytetar nderi e Edi Ramës nuk është asgjë tjetër veçse ulje e vlerës së kësaj mirënjohjeje. “Një vendim të tillë ne nuk e përkahim, sepse kjo ia ul vlerën mirënjohjes ‘Qytetar Nderi’. Për ta marrë këtë titull, personi duhet të ketë dhënë kontribut për trevën. Popullata e kësaj ane nuk di cilat janë meritat e Edvin Kristaq Ramës dhe nuk i di arsyet që kanë çuar pushtetin lokal të marrë këtë vendim. DK-ja me të drejtë pyet, në mos është ky kthim i borxhit qytetit të Vlorës, bashkia e së cilës ka shpallur qytetar nderi kryetarin e Skënderaj, Sami Lushtakun”, thuhet në reagimin e komisionit për informim të degës së LDK. Në anën tjetër, kryetari i degës së AAK në Skënderaj, Qazim Xani, tha se vendimi për ta shpallur Edi Ramën qytetar nderi të Skënderajt është marrë për jarani. “Kontributi i Edi Ramës për Drenicën dhe Kosovën është zero. Bile për UÇK-në dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës, ai nuk ka bërë absolutisht asgjë. Madje, deri sa në Kosovë bëhej luftë dhe derisa shumë familje shqiptare ua hapen dyert familjeve kosovare, të cilat dëboheshin me dhunë nga trojet e tyre, Edi Rama nuk ishte askund, besoj se nuk ka qenë as në Shqipëri. Eshtë vërtet për t’u habitur se si bën që një njeri pa asnjë kontribut, përveç që vjen herë pas herë në Skënderaj, sepse i ka këtu shokët e jaranat, që e thërrasin nëpër ahengje të ndryshme, të shpallet qytetar nderi i një rajoni që me dekada të tëra ka bërë luftë të përgjakshme me okupatorë e sundues. Ka shumë njerëz meritorë në Shqipëri dhe në rajonet tjera, të cilët kanë dhënë kontribut shumë të madh për Drenicën, e të cilët as që zihen në gojë nga ky pushtet”, ka thënë kryetari i degës së AAK, Qazim Xani. Lidhur me këtë, në Qendren e Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj nuk kanë thënë as edhe një fjalë. Gazetarët e Skënderajt kanë kërkuar një prononcim nga kryetari i këtij subjekti politik, Kadri Zeka, por ai nuk është përgjigjur. Ndërsa Ajnishahe Halimi, duke shprehur mendimin e vet personal, jo edhe të QG “Prehja”, drejtoreshë e së cilës është, tha se një vendim i tillë është absurditeti më i madh. “Ky vendim është absurditeti më i madh, për faktin se ka njerëz të tjerë, të cilët kanë shumë merita, të cilët kanë dhënë kontribut të madh për Kosovën, sidomos për Drenicën e Skënderajn, e të cilët nuk përmenden fare. Ka njerëz edhe brenda në qytetin e Skënderajt, të cilët kanë dhënë kontribut shumë më të madh se që ka dhënë Edi Rama. Në fakt, Edi Rama nuk ka dhënë asnjë kontribut”, tha znj. Halimi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›