“Edi Rama po ndëshkon padrejtësisht qytetarët duke rritur taksat në Tiranë”

Intervistë me Zëvendësministrin e Brendshëm dhe këshilltarin bashkiak të Tiranës, Ferdinant Poni
“Kemi dy qëndrime, njëri që e dëmton qytetarin në interesat e tij, siç është Bashkia e Tiranës dhe mazhoranca socialiste në Këshillin Bashkiak, dhe ai i Qeverisë shqiptare që edhe në këtë rast shpreh shpirtin e qytetarëve, biznesmenëve... Edi Rama është i shurdhët nuk dëgjon as ndjenjën, nëse do të nisej për hir të qytetarëve të tij e ka shumë më tepër gabim, rruga e Durrësit ja ku është e tregon vet. Me këto veprime iu ka shkaktuar dhe kërkon t’iu shkaktojë dëme të mëdha, por nuk duhet lënë që t’iu shkaktohen dëme të tjera qytetarëve të Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë”
Leonard Quku
TIRANE - Kryetari i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin e Bashkisë Tiranë, dhe njëherazi Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, deklaron se ish kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, po ndërmerr politika në kurriz të qytetarëve, duke rritur taksat tej ekstremeve, si taksat ndaj biznesit të vogël, taksa e gjelbërimit, e pastrimit.
Sipas Ponit, ekziston një klikë e udhëhequr nga Rama, që nuk do t’ia dijë për hallet dhe problemet e qytetarëve, por më tepër i mëshon interesave klanore, duke goditur rëndë biznesin në kryeqytet, qytetarët taksapagues etj,.
Poni përshëndet nismën e qeverisë “Berisha”, për të ndërhyrë më ligj kundër politikave abuzive të pushtetit vendor.
Për sa i takon taksës të ashtuquajtur feudale, propozuar nga Rama, për të gjitha automjetet që hyjnë në Tiranë, Poni deklaron se Rama njihet për qëndrimet e tij antibiznes, antitreg, në një kohë kur qeveria shqiptare, madje edhe qeveritë në botë, po marrin masa antikrizë, bashkia e Tiranës, përpiqet të marrë masa antikonsumatore, antitregtare, kundër biznesit dhe kundër qytetarëve.
Sipas disa të dhënave, njësitë vendore kanë filluar një valë rritjesh të tarifave dhe automatikisht të taksës së biznesit të vogël dhe kryesisht më e ndjeshme është në bashkinë e Tiranës? Çfarë impakti mund të ketë një politikë e tillë dhe sa preken bizneset, është kjo një barrierë për ta?
Më vjen mirë që gjej opinionin që është në të njëjtin mendim me atë që PD-ja, qeveria e kryeministrit Berisha dhe gjithë strukturat e tjera të PD-së, Grupi i Këshilltarëve në bashkinë e Tiranës, kanë pretenduar dhe mbështetur gjithmonë, taksa më të arsyeshme, taksa më të ulëta për qytetarët dhe biznesit, evazion fiskal zero, në mënyrë që të jemi në kushtet e ndershmërisë maksimale në favor të qytetarëve në favor të një klime të përshtatshme për biznesit në mënyrë që të zhvillohen. Nga ana e tjetër e kësaj qëndron një “klikë” që as që i bëhet vonë fare që rriten taksat, as gjë e bren ndërgjegjja se ato rriten, nuk duan t’ia dinë nëse vuajnë apo jetojnë në kushte të vështira qytetarët. Sepse ajo mendon që duhet të mbajë dy herë më tepër nga ç’duhet, duhet të ketë harxhime tre herë më tepër shpenzime operative, 601-sh 602-sh që ne i kemi thënë shpesh herë. Dhe çfarë bën kjo? Kjo shtrëngon qytetarin, shtrëngon qytetarin e thjeshtë të Tiranës apo dhe të ndonjë qyteti tjetër sepse 1/3 e popullsisë mbahet mbi bazën e këtyre bizneseve modeste do të thosha, por jashtëzakonisht të rëndësishme dhe për strukturimin e shoqërisë shqiptare. Nëse keni vënë re ka qenë një luftë e vazhdueshme edhe në Këshillin Bashkiak e jona, që të shkojmë në frymën e vendimeve dhe të qeverisë Berisha për sa i përket taksës për biznesin e vogël. Fatkeqësisht në Këshill mazhorancën e kanë socialistët që do të thotë që qytetarët janë ndëshkuar padrejtësisht për shkak të kësaj politike të kryetarit të bashkisë, Rama, apo ish kryetarit të bashkisë që ka një politikë shumë të ekzagjeruar lidhur me taksat. Qytetarët e Tiranës paguajnë në limitet që jep ligji por në maksimumet e tyre taksa, por jo vetëm taksa. Sepse nuk është vetëm tek taksat por edhe tarifa të tjera që në një mënyrë qytetarët i njohin taksa, siç është tarifa e pastrimit apo taksa e përkohshme e gjelbërimit, apo taksa për hyrjen në bashkinë e Tiranës. Të gjitha këto janë absolutisht të pa motivuara rritjen e tyre dhe më shumë se kaq, rriten 40%. Domethënë po supozojmë një kastë në mënyrë hipotetike se; vjen një klikë si kjo e ish kryetarit Rama në qeveri do të thotë që shqiptarëve do t’iu rriten taksat nga viti në vit 40%? Dhe nëse do të aplikojmë këtë variant do t’i risin taksat të gjitha? Sikur nuk shkon. Kjo është filozofia e tyre, përgjithësisht për taksat lokale e ka qeveria vendore, do të thotë që; nëse janë rritur, qytetarët duhet ta dinë mirë se kush ja ka rritur. Por për një ngarkesë taksash në nivelin e përgjithshëm; nëse është një detar apo një biznes, sa duhet të paguajë dhe cila është ngarkesa e taksave, kjo është pjesë ekskluzive e politikës kombëtare. Unë e gjej me shumë vend kur në kushtet kur tendenca shkon në ekstreme për të rritur taksat, ulja e marzhit të vendimmarrjes është i vetmi, tani për tani, ilaç në kushtet e kësaj çmendurie të rritjes së taksave. Nga +/- 30% në +/-10%, është një gjysmë ilaçi. Do të dëshiroja që qytetet tona të konkurronin për një klimë të favorshme të biznesit, që do të thotë që të vinin të gjithë te -10%, fatkeqësisht shkojnë të gjithë tek +30%. Kjo është e pakuptimtë.
A do të ketë nga grupi juaj i PD-së në Këshillin Bashkiak në mbledhjen e ardhshme të tij një kërkesë për të diskutuar çështjen e rritjes së tarifave të ndryshme vendore?
Çështja e taksave apo atë të buxhetit, u bë katër herë apo pesë herë që është diskutuar në bashki. Nëse mbani mend ne si grup këshilltarësh kemi diskutuar tre kolona, për çështjen e buxhetit. Të hiqnim evazionin lidhur me taksat, po kjo nuk është një politikë që ne thjesht po i vendosim të gjithë qytetarët nën taksa, në fakt ne duam të heqim monopolet. Sepse atë që kanë mik nuk i marrin taksën dhe ai favorizohet në mënyrë të pandershme, të rrisim buxhetin e bashkisë së Tiranës për ta kthyer në investime, të ulnim dhe përjashtonim taksat siç ishte, taksa e të drejtës feudale që quajti Kryeministri. Dhe është një gjetje e goditur nga ai, pasi është një lloj gjetje ilzolazionizmi, që Tirana do të mbyllet, ndërkohë që territori i qyteteve tona është pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë. Nuk kemi taksa që e mbyllim një qytet dhe e hapim nuk e kemi këtë fuqi. Me hyrjen në fuqi të ligjit që qeveria ka bërë gati dhe së shpejti kalon edhe në parlament, buxheti i bashkisë duhet të rishikohet duhet të ketë alokime të fondeve në buxhet. Për arsye se buxheti aq artificialë sa është vuan nga këto sëmundje të paparashikueshme dhe do ta ketë këtë sëmundjen e taksës. Por qëndrimi jonë është i prerë dhe i qartë; sa më pak ngarkesë fiskale të panevojshme për qytetarët.
Për sa i përket taksës feudale të hyrjes së automjeteve me targa jo të Tiranës në kryeqytet, po të vihet re është një pjesë e madhe e tregtarëve të qyteteve të gjithë vendit që furnizohen në Tiranë me mallra, a është pengesë e dyfishtë kjo për zhvillimin e kryeqytetit dhe rrënimin e bizneseve të qyteteve të tjera dhe një tjetër barrë e rëndë për popullsinë?
Rreth vitit 2001 ne kemi qenë në opozitë, por unë e kam ndjekur me shumë vëmendje veprimtarinë e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe të këshillit dhe po iu jap një shembull. Shikojeni rrugën e Durrësit, pasi ai vuri kangjella në trotuarin e kësaj rruge biznesi atje “vdiq”. Biznesmenët e rrugës së Durrësit duhet ta dinë mirë se kush e ka bërë këtë gjë! Nëse do të vendosim këto kangjella apo këto mure, apo porta, nuk do të vuajnë vetëm ata që do të vijnë në Tiranë. Do të vuajnë qytetarët e Tiranës që iu japin mallra dhe shërbime gjithë qytetarëve të Shqipërisë, është një vuajtje e përbashkët. Ky njeri është i shurdhët nuk dëgjon as ndjenjën, nëse do të nisej për hir të qytetarëve të tij e ka shumë më tepër gabim, rruga e Durrësit ja ku është e tregon vet. Me këto veprime iu ka shkaktuar dhe kërkon tiu shkaktojë dëme të mëdha por nuk duhet lënë që t’iu shkaktohen dëme të tjera qytetarëve të Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Sepse qyteti është i tyre, të gjitha qytetet. Ne flasim për tregti globale, kur ne brenda një vendi vëmë mure dhe kufij. Ne flasim që të shpëtojmë nga taksat e dyfishta të BE-së dhe këtu ndodhin pengesa për biznesin, imagjino. Me këtë praktikë qytetarët mund të frenohen dhe mund të sjellë dhe 30-40% ulje të xhiros në qytetin e Tiranës, dhe kjo do të ndihet në xhepat e qytetarëve dhe në pasurimin apo jo të qytetit. Shkon totalisht në kundërshtim me masat sotme ekonomike që merren kudo në botë për të parandaluar krizën, apo për ta lehtësuar atje ku ka ndodhur. Masa efikase, rregulla të qarta, barazi ndaj ligjit, investime dhe transferime investimesh sa më të mëdha siç liderët botërorë kanë vendosur dhe një politikë fiskale që do të favorizojë në ecjen më tej të ndërmarrjeve të vogla të mesme dhe pse jo edhe të mëdha për të rritur konsumin. Kjo që po bën bashkia është masë antikonsumatore, antitregtare, kundër biznesit kundër qytetarëve.
Pra, kemi të bëjmë me prirje të theksuar antiglobaliste?
Rama, që është antiglobalist e dimë të gjithë ne. Ne nuk po themi që është nga ato “tutte biance”, mundet. Po që është ‘non global people’, ma merr mendja se duket nga afër. Zoti Veliaj ditën kur ne hynim në NATO, me paturpësinë më të madhe dilte dhe thoshte që ne shkojmë në “NATO me 26 të vdekur”. NATO është një histori e shkruar edhe me gjak. Me gjakun e ushtarëve Amerikan që luftuan për lirinë e Evropës. Nëse jo të gjithëve iu kujtohet historia në detaje ndofta iu kujtohet e famshmja ‘D Day’ dhe Evropa është e bazuar mbi këtë sakrificë, dhe jo mbi këto palaçollëqe që në ditën më të madhe të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore, në mos të gjithë historisë shqiptare, shfaqen në media. Tani jemi në atë familje ku duhet të jemi zyrtarisht, atë të demokracive të mëdha. Kështu që ato “tutte biance” nuk kanë kuptim vetëm në gjeopolitikën e madhe por edhe në refleksionin e xhepave të qytetarëve, nënave dhe baballarëve, e atyre biznesmenëve që mbajnë familjet e tyre por që i bëjnë mirë qytetit dhe familjeve të tjera.
A mund të marrë qeveria nismë ligjore për të penguar këto politika të gabuara nga pushteti lokal?
Për të ruajtur një ngarkesë fiskale fleksibël, jo vetëm që ka të drejtë por dhe zgjidhja është në kohën e duhur. Më shumë se kaq përpjekja e qeverisë është në anën e qytetarëve. Çdo qeveri qendrore dhe lokale e ka për detyre të jetë me qytetarët e saj dhe të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit. Kemi dy qëndrime, njëri që e dëmton qytetarin në interesat e tij, siç është bashkia e Tiranës dhe mazhoranca socialiste në Këshillin Bashkiak, dhe ai i qeverisë shqiptare që edhe në këtë rast shpreh shpirtin e qytetarëve, biznesmenëve.
Cila është situata e vërtet me aplikimin dhe shpërndarjen e Letërnjoftimeve elektronike? Dhe nëse ka nevojë çfarë duhet bërë më tepër për të përshpejtuar procesin?
Shifrat ekzakte që unë i marrë përditë në trajtë operative për gjithë vendin janë, 412 mijë e 687 aplikime (412687) në rang vendi, 319 mijë e 543 karta të prodhuara (319543), të shpërndara në zyrat e shpërndarjes 193 mijë 690 karta (193690), të marra nga qytetarët janë 76 mijë 716 karta (76716), dhe ritmi ditor i djeshëm ka qenë 5126 karta. Këto ditë është aplikuar dhe vazhdon të aplikohet edhe për pasaporta biometrike në Tiranë. Ka pasur edhe një deklaratë të ambasadorit Lohan në këtë drejtim, dhe është një prononcim tjetër i BE-së në krah të qeverisë shqiptare kundër absurditeteve të opozitës. Ne kemi dashur ta nxitojmë këtë proces, ku 120 janë aplikimet për pasaportat biometrike në Tiranë dhe në total janë 1056 aplikime për pasaporta, që do të thotë se po ecet kënaqshëm mirë. Ajo që ne shqetësohemi janë thirrjet e herë pas hershme për ta penguar procesin dhe mund të japin efekt. Ne na vjen keq që gjithë ky proces i shtrirë në 93% të territorit, bashkive dhe komunave të vendit, gjen një qëndrim kundër të socialistëve. Të cilët janë kontradiktorë me veten ku edhe thonë që duhet të pajisen dhe me thirrjet e tyre kanë penguar procesin. Nga raportimet që kanë ditën premte kanë qënë gati 10 mijë aplikime, dhe jo 15 mijë sa ne do të donim të ishin, sepse është për shkak të dy thirrjeve; vetëm ata pa pasaportë aplikojnë dhe ja të presim se mos jepen falas ose probleme të tjera. Këtu zyrat rrinë bosh dhe askush nuk aplikon për shkak të këtyre thirrjeve. Është krejt normale që të kemi 20 mijë aplikime në ditë, po të kemi këtë shifër ne kemi akoma dhe një 65 ditësh pune deri në 13-14 qershor, ku ne mund të bëjmë me kapacitet të plotë, po kjo i tremb socialistët, edhe 1.4 milionë aplikime të tjera përveç këtyre. Por sigurisht që ne nuk ja çojmë kartën tek shtëpia, duhet të vijnë të aplikojë që të marrin shenjat e gishtave, duhet të vijë të aplikojnë me këto kushte. Koncesionari po punon me kapacitete të plota. Ka një model total me mbi 100 mijë karta për t’u prodhuar kapaciteti javor i prodhimit. Një tjetër problematik që unë mendojë se rëndon punën është që qytetarët duhet të vijnë më shpesh për t’i marrë, t’i tërheqin brenda afateve. Ky është një proces që nuk duhet penguar, ka një konstruksionizëm të pafalshëm nga ana e PS-së. Media është mënyra më e mirë për të komunikuar me qytetarët që të vazhdojnë të aplikojnë pa ndërprerje për kartat. Skema e rimbursimit apo e kompensimit është fuqi por prodhimi industrial nuk duhet të preket, pra duhet të paguajnë 12 mijë lekëshin të shkojnë më pas të rimbursohen pranë njësive të tyre bashkiake apo komunale sipas kategorive, për ata me ndihmë sociale, pensionistë ndërsa studentët rimbursimin në Universitete. Për sa i përket listave nuk kanë ku kapen socialistët, kanë dy muaj të gjejnë gabimet të bëjnë korrigjimet, por edhe sikur të ketë gabime është një proces që i korrigjon në moment. Dëgjova Paskal Milon në një emision televiziv që ankohej, se thotë që është dhe profesor ja fut kot nga mëngjesi deri në darkë duke thënë; qeveria ka për detyrë që të bëjë listat! Nuk e ka për detyrë që t’i bëjë qeveria listat. Ato i bëjnë zyrat vendore ne i kemi kontrolluar i kemi vendosur në kushte që t’i bëjnë sa më të mira dhe është një proces i përbashkët ku pjesën më të madhe e kanë të zgjedhurit vendorë. Dhe vijnë e na tregojnë Paskal Milo apo të tjetër që janë shumë larg të konceptuarit të standardeve demokratike. Këtu e kishin Shqipërinë e futën në gropë për tetë vjet dhe s’mundet që një qeveri kaq e përkushtuar dhe e bindur të tregohet kaq e pakujdesshme sa të marrë mësime nga njerëz që nuk kanë treguar vullnet për të plotësuar standarde. Duhet ta dinë mirë shqiptarët këtë.