E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Kehl-Strasburg u ulëm për herë të parë në histori, si të barabartë me udhëheqësit e vendeve më të fuqishme”

Berisha pritet të Rinas nga 1000 të rinj dhe të reja

TIRANE - Ndalesa e parë e kryeministrit Sali Berisha, pas kthimit nga samiti i Aleancës së Atlantikut të Veriut, u bë në Rinas, aty ku mbi 1000 të rinj dhe të reja, të nisur posaçërisht nga kryeqyteti, me më shumë se 300 automjete, me një vargëzim linear që i kalonte 2 km. Lideri i qeverisë, menjëherë pas zbritjes në tokë, i uroi të rinjtë dhe në mënyrë të veçantë, të gjithë shqiptarët, për këtë zhvillim historik, realizmin e një projekti ëndërr, anëtarësimin në NATO.
“Qytetarëve shqiptarë, shqiptarëve kudo që ndodhen, të rinjve, dua t’ju uroj gëzuar ditën e parë të NATO-s, ditën e mrekullisë së lirisë, ditën e dinjitetit tonë kombëtar, ditën e të ardhmes sonë të sigurt”, tha Berisha.
Kryeministri tha se “vijmë nga Samiti i Kehl-Strasburg-ut, në të cilin ne, si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, u ulëm për herë të parë në histori me udhëheqësit e vendeve më të lira, më të fuqishme të planetit si të barabartë”.
“Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj të gjithë atyre shqiptarëve që, nga vitet ‘90 e deri më sot, kontribuuan me qëndrime, me veprime, me përkushtimin e tyre në konsolidimin e lirisë dhe të vlerave të saj, konsolidimin e tregut dhe vlerave të tij, reformave të thella e të shumanshme që bënë të mundur këtë ditë. Një falënderim i veçantë u takon Forcave tona të Armatosura që me reformat e tyre, me kurajën dhe përkushtimin e tyre u bënë ambasadorët tanë të shkëlqyer në misione ndër më të vështirat të paqeruajtës në Evropë dhe botë”, u shpreh kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›