“Shqipëria në NATO” ndikon pozitivisht edhe në rajon

Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa
“Padyshim edhe Kosova do të ketë të njëjtin destinacion dhe Shqipëria sigurisht do të shërbejë si një shembull pozitiv, si një rrugë tashmë e përshkuar edhe për Kosovën. Pa dyshim që ne do të vëmë në dispozicion gjithçka mundemi dhe kemi, në mënyrë që edhe shteti i Kosovës të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur në strukturat euroatlantike”
TIRANE - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi pak orë pas kthimit nga Samiti i NATO-s i Strasburg-Kehlit, se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ndikon pozitivisht në të gjithë rajonin, duke krijuar një klimë pozitive bashkëpunimi dhe sigurie. Oketa tha se edhe Kosova do të ndjekë të njëjtin objektiv dhe Republika e Shqipërisë do të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar në këtë drejtim.
“Padyshim edhe Kosova do të ketë të njëjtin destinacion dhe Shqipëria sigurisht do të shërbejë si një shembull pozitiv, si një rrugë tashmë e përshkuar edhe për Kosovën. Pa dyshim që ne do të vëmë në dispozicion gjithçka mundemi dhe kemi, në mënyrë që edhe shteti i Kosovës të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur në strukturat euroatlantike”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa.
“Të gjitha vendet e rajonit kanë shpallur si objektiv anëtarësimin në NATO dhe BE”, vijoi më tej Ministri i Mbrojtjes, një ditë pas samitit të NATO-s në Strasburg-Kehl, ku Shqipëria dhe Kroacia u pranuan anëtare me të drejta të plota në këtë aleancë. Në këtë kuadër, edhe ‘Karta e Adriatik 3’, që përbëhej nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, është zgjeruar dhe është bërë në formatin ‘Adriatik 3+2’, duke u shtuar
me dy vende të reja, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën”, tha ai.