Edi Rama pranë dorëheqjes, Blushi e Majko vetëkandidohen për të drejtuar opozitën

Kryesocialisti po kalon dy ditët e fundit në korridoret e selisë, duke sharë shqiptarët që s’ia besuan gënjeshtrat, dhe duke akuzuar Islamin e Xhafajn që i propozuan kodin, por këta të fundit e bëjnë fajtor Edvinin se drejtoi fushatë të dobët e rrinte gjithë ditën me 99-shat e Erion Velisë. Dorëheqja del në rend të ditës, ndërkohë që Blushi e Majko janë vetëkandiduar për të marrë kreun e opozitës në katër vitet e ardhshme
Edi Rama, i cili gjithë këto ditë ka tentuar të shtyjë sulmet ndaj tij brenda PS-ës si shkaktarë të humbjes së zgjedhjeve, nuk ka mundur t’i shtyjë më tej këto sulme. Jo më larg se dje janë shfaqur zërat e parë brenda PS-së, që i kanë kërkuar dorëheqjen Edi Ramës, ndërsa kanë qarkulluar edhe emrat e parë të mundshëm për t’i zënë vendin atij.
Ka qenë një debat i nisur dje nga vetë Edi Rama, me Kastriot Islamin dhe Fatmir Xhafajn, që më pas i është kthyer në bumerang.
Ndërsa Edi Rama, si pjesë të strategjisë së tij për të mbajtur partinë, ka tentuar, që për të pasur një argument më shumë në funksion të këtij qëllimi, të fajësojë Kodin Zgjedhor dhe për më tepër “ideatorët” e tij brenda PS-së, Kastriot Islamin dhe Fatmir Xhafajn.
Nga ana e tyre, Islami dhe Xhafaj, jo aq për të mbrojtur veten, sesa për të përcaktuar sipas tyre, shkaktarin real të humbjes, i janë kthyer kryetarit të tyre, duke ia faturuar atij përgjegjësinë e humbjes.
Bashkë me këtë përcaktim si shkaktar të humbjes, Kastriot Islami dhe Fatmir Xhafaj mësohet se i kanë përmendur Edi Ramës, edhe arsyet që lidhen me humbjen. Sipas tyre mësohet se Islami dhe Xhafaj, kanë fajësuar Ramën për fushatën e dobët që ai drejtoi, për përfshirjen në koalicion të G 99-s, për klientelizmin e listave, etj.
Ndërkohë, mësohet se mes zërave që paralajmërojnë kërkesën për dorëheqje të Edi Ramës, korridoreve të selisë së PS-ës, janë hedhur “në treg” edhe emrat e mundshëm që mund të zëvendësojnë atë në krye të kësaj partie. Sipas burimeve nga selia e PS-së, mësohet se Ben Blushi dhe Pandeli Majko, janë emrat e parë të kandidatëve të mundshëm të përfolur për të zëvendësuar Edi Ramën në krye të PS-së.
...