PD, gati për koalicionin pazgjedhor, që garanton qeverisje reformash

Kryeministri Berisha konfirmon se PD do të negociojë një koalicion paszgjedhor me forca politike dhe individë me kontribute, që do garantojnë një qeverisje të qendrueshme
Kryeministri Sali Berisha deklaron se Partia Demokratike është e gatshme të ndërtojë një koalicion paszgjedhor, por jo me bazë të gjerë. Gjatë një konference për shtyp në selinë e Partisë Demokratike, kryeministri Berisha, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Demokratike, u shpreh se mazhoranca aktuale i ka të gjitha numrat e nevojshëm, për të formuar qeverinë e re, por ka ndërmend të ecë drejt koalicioneve paszgjedhore.
Kreu i qeverisë evidentoi vullnetin e shprehur nga deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, për t’iu bashkuar koalicionit të djathtë, ndërsa theksoi se “ai po kërcënohet në mënyrën më të turpshme”.
“Natyrisht nuk kam fituar aq sa do të doja, por deklarova se kam ndërmend të eci drejt koalicioneve dhe do të zgjeroj koalicionin, sepse këto janë rregullat e demokracisë. Ne jemi një vend demokratik dhe do të negociojmë koalicionin”, u shpreh Berisha.
Përsa i përket rezultatit, Berisha u shpreh se do të pranojë rezultatin që do të nxjerrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Nuk kam dhënë vet asnjë rezultat deri tani, por të dhënat flasin qartazi. Kështu që kjo mazhorancë aktuale i ka të gjitha numrat dhe me vullnetin e shprehur edhe nga deputeti Prifti që siç e keni dëgjuar publikisht, të cilin po e kërcënojnë, në mënyrat më të turpshme”, tha Berisha, duke shtuar se “ka vullnet pozitiv për koalicionin dhe ne jemi në frymën e kompromisit që kjo kërkon”.
“Sovrani votoi, sovrani diktoi koalicion ! Çfarë do të bëjmë ne? Do të themi se për inat të sovranit do të shkojmë në zgjedhje? Jo absolutisht, do të respektojmë këtë që na dha, dhe t’i themi faleminderit shumë dhe të vazhdojmë më tutje”, tha më tej Berisha.
Në këtë kuadër, kreu i qeverisë theksoi se PD synon kërkon të bëjë koalicion me forca politike, por mirëpret edhe kontributet.
“Nuk jam për një koalicion të gjerë, sepse koalicionet e gjera kërkohen atëherë kur nuk ka mundësi për koalicione të tjera. Ky është rregulli i demokracisë, kërkohet koalicion i gjerë kur koalicione të tjera nuk japin dot qeveri, por vendi ka koalicione të tjera, të cilat mund të japin qeveri dhe fare stabël”, deklaroi më tej Berisha.
Në këtë kuadër kryeministri Berisha shtoi se Partia Demokratike synon dhe kërkon koalicion me forca politike, por mirëpret edhe kontributet.
“PD u përmbahet rregullave. Natyrisht mirëpret kontributet, por kur flas për koalicion, flas për koalicion me forca politike, natyrisht unë nuk jam për një koalicion të gjerë. Koalicionet e gjëra kërkohen kur nuk ka mundësi për koalicione të tjera. Ky është rregulli i demokracisë !
Kërkohet koalicion i gjerë kur koalicionet e tjera nuk japin dot qeveri. Ndërsa vendi ka koalicione të tjera, të cilat mund të japin qeveri dhe fare stabël, fare stabël”, tha shefi i ekzekutivit Sali Berisha.
Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca e Ndryshimit” kryesojnë rezultatet zgjedhore me më shumë mandate në kuvendin e Shqipërisë, me 70 deputetë, në një kohë kur pritet numërim i kutive të fundit të Fierit dhe Lezhës, nga të cilat është i mundshëm sigurimi edhe i 2 mandateve, duke shkuar në numrin standard të deputetëve, 71, për të formuar mazhorancën qeverisëse.
...