E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama privatizon PS-në, themeluesi i saj Fatos Nano, nuk ftohet në festimet e 20 vjetorit

12-06-2011 / Gazeta 55

Një pjesë e mediave të shkruara aluduan dje se Fatos Nano kishte marrë një ftesë nga Edi Rama, për të qenë i pranishëm në ceremoninë jubilare të 20 vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. Por shumë shpejt brenda pak orësh, ishte vetë ish kryeministri dhe lideri historik i të majtës, Fatos Nano, ai që hodhi poshtë ekzistencën e një ftese të mundshme nga Edi Rama, për të qenë i pranishëm në ceremoninë e sotme të 700 të ftuarve.
Nano, përmes një sqarimi për mediat u shpreh se ai nuk kishte marrë asnjë ftesë nga Edi Rama, por edhe sikur t’i vinte një e tillë ai do ta refuzonte sepse, para se Rama të shpërndajë ftesa të hapura ose të mbyllura, në radhë të parë duhet të kërkojë ndjesë.
Sipas tij, lajmet që nxjerr Rama se, e ka ftuar në 20 vjetorin e themelimit të PS, Nano i quan lojëra mediatike.
“Nuk kam marrë asnjë ftesë nga Edi Rama. Unë nuk pres një gjest të tillë nga ai sepse në radhë të parë duhet të më kërkojë ndjesë. Informacionet e rreme që shpërndan në media janë pjesë e lojës së tij politike për të tërhequr vëmendjen nga katrahura që ka zënë PS-në”, mësohet të ketë deklaruar Fatos Nano, në shenjë reagimi ndaj ftesës së supozuar të Edi Ramës, me rastin e ceremonisë jubilare të 20 vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.
Pak javë më parë, Rama kishte hapur fjalë se po darkonte me Nanon në një restorant në Tiranë, ndërkohë që kamerat e televizioneve vërtetuan se ata vërtet ishin në një restorant, po në tavolina të ndryshme dhe nuk komunikuan fare me njëri-tjetrin. Ftesa e sajuar e Ramës për Nanon vjen jo thjesht në 20 vjetorin e Partisë Socialiste, por një ditë përpara vendimit të Kolegjit, ku sipas të gjithë ekspertëve ligjorë, humbja e tij është e çimentuar. Ndërkohë, njerëz të afërt me Ramën thanë se kjo ftesë e sajuar e Ramës, vjen nga komplekset e vjetra që ai ka me liderin historik të PS-së.
Një njeri i afërt pranë Ramës tha se të gjithë këtë, Rama e bën që Nano të mos vijë në 20-vjetorin e partisë, por nga ana tjetër e ka të vështirë të justifikohet para socialistëve që nuk e ka ftuar liderin e partisë në këtë jubilar. Kësisoj, Edi Rama e ka gjithnjë e më të vështirë të ndeshet me presionin verbal të liderit historik Nano, i cili kurdo herë i ngjall frikë dhe panik se po i merr partinë. Ndonëse ishte Fatos Nano ai që i hapi rrugë Ramës të merrte drejtimin e PS-së në 2005-ën, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, kryetari aktual i saj nuk njeh as minimumin e etikës demokratike në funksionimin dhe organizimin e forcës politike më të madhe në opozitë.
Shpallja e Fatos Nanos “non grata” nga partia që ai vetë themeloi dhe ndërtoi pas shkrirjes së PPSH-së në 12 Qershor 1991, është një mesazh i keq për vetë konjukturën drejtuese të PS, frikën dhe tmerrin që përjeton Edi Rama nga kërcënimi indirekt i Fatos Nanos, thjesht me pjesëmarrjen e tij në ceremoninë jubilare të themelimit të Partisë Socialiste.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›