E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënat sekrete dhe rrota e të ekspozuarve

12-06-2011 / Nga Ilirian Dahri

Gjetja e një foshnje të hedhur disa ditë më parë në kazanët e plehrave në qytetin e Korçës e ka tronditur shumë opinionin publik. Zakonisht në të tilla raste nuk mungojnë kurrë ata që mendojnë se sipas tyre këto gjëra ndodhin vetëm në Shqipëri duke harruar se kjo lloj praktike e dhimbshme, mjerisht është e lashtë sa vetë bota dhe nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë por  edhe me shumë vende të tjera. Pikërisht në këto ditë, në vendin fqinj të Italisë është kryer një studim për  “nënat sekrete” dhe braktisjen e fëmijëve të tyre. Rezulton që këto nëna  vijnë nga  shtresa që jetojnë në kushte ekonomike të vështira, mund të jenë klandestine, por edhe italiane, dhe nganjëherë thuajse të mitura. Gra, vajza, adoleshente të rritura me nxitim, të vetmuara, të frikësuara që lindin fëmijët e tyre por që më pas nuk i njohin por i lënë në spital, duke ja besuar në njëfarë mënyre mjekëve dhe infermiereve. Sipas këtij studimi kemi të bëjmë me një emergjencë të kësaj praktike sa të fshehur po aq dhe dramatike: sepse në fakt, vetëm në një vit, mbi 400 fëmijë  braktisen në Itali dhe nuk njihen më nga nënat e tyre. Numri i “të lindurve të padëshirueshëm”, është në rritje, sipas këtij studimi, dhe po ta krahasosh me vitin 2009 ka një rritje rreth 20% më shumë, fëmijë të destinuar për adoptime të shpejta kombëtare. Por vetëm nëse janë të shëndetshëm dhe pa defekte, në të kundërt rruga për ta mund të jetë më e vështirë, duke përfunduar shpesh nëpër institute të ndryshme. Në Itali nënat kanë tre muaj kohë për ta njohur fëmijën e tyre, në të kundërt e humbin përgjithnjë, dhe ish fëmija i tyre mund të ketë për  nënë dikë tjetër. Askush nuk mund të kërkojë më, ligji është i qartë, janë “lindje anonime”, fëmija mbetet, nëna biologjike humbet. Firmosin dhe ikin nënat sekrete, në repartet e materniteteve, ku nga ana tjetër ka veçse pritje dhe gëzim. Ikin, të kërrusura në vetvete, të vetmuara ashtu siç erdhën. Vihen emrat, disa prej tyre kërkojnë të shikojnë fëmijën, disa të tjera jo, do të ishte shumë e vështirë, nëse e mban në krahë nuk mund ta lëshosh më…Por shpeshherë pas këtyre vendimeve ekstreme në hije ndodhen burra violentë, religjione intolerante, familje që turpërohen nga vajzat shtatzanë, prostitucioni, frika e largimeve të sforcuara, violenca seksuale. “Një muaj më parë mora një letër në një zarf të mbyllur. I adresohej një te porasalinduri ende pa një emër dhe pa identitet. E kishte lënë nëna e tij, pasi e kishte lindur dhe ja kishte besuar spitalit. Tani zarfin do ta ruajmë ne, të dyllosur në dosjen e atij fëmije që shpejt do të adoptohet…” - kështu tregon Melita Kavallo, presidente për minorenët e qytetit të Romës. Shkruanim më lart se fenomeni i braktisjes foshnjore mjerisht është shumë i lashtë. Në fakt braktisja e foshnjave të padëshirueshme  ishte shumë e përhapur tek popujt e ndryshëm: hebrenjtë e kishin të ndaluar vrasjen por e konsideronin si të ligjshme braktisjen apo shitjen e fëmijëve ndërsa nga ana tjetër për grekët vrasja dhe braktisja e fëmijëve ishin të ligjshme. Ndërsa që në fillimet e krishtërimit, Perandori Konstandin vendosi (në vitin 315) që një pjesë e taksave do të përdorej për të ndihmuar foshnjat e braktisura dhe një pjesë tjetër për fëmijët e familjeve të varfra. Pak vite më vonë, në 318, një tjetër ligj do të parashikonte dënimin me vdekje për vrasjen foshnjore por nuk merrte asnjë masë për ata që shisnin fëmijët e tyre. Vetëm në shekullin VI, Justiniani do të ndëshkonte braktisjen e foshnjave duke e konsideruar si vrasje. Për të ndalur braktisjen e foshnjave nëpër rrugë apo në vende ku ato mjerisht ndoshta nuk mund të jetonin më, ashtu të pambrojtur, në Marsejë (në Francë), që në vitin 1188, u krijua ajo që quhet rrota e të ekspozuarve. Ishte një mekanizëm i lëvizshëm me formë cilindrike, i ndërtuar më së shumti me dru, i ndarë në dy pjesë të mbyllura me një sportel që vihej për mbrojtjen e foshnjave, një nga brenda dhe një tjetër nga jashtë që të puthitur me një vrimë në  mur, lejonte vendosjen e të ekspozuarve (foshnjave të braktisura). Duke lëvizur rrotën, pjesa me foshnjën shkonte brenda kishës apo spitalit dhe nga ana tjetër dikush  merrte foshnjën për ti dhënë edhe përkujdesjet gjithashtu ndodhej dhe një tjetër vrimë në mur ku mund të hidheshin dhe oferta të ndryshme. Ndonjëherë, në rrotë vendoseshin edhe dokumente ose shenja të ndryshme për një rinjohje nga ana e atij që braktiste fëmijën, me qëllimin për të dëshmuar legjimitetin. Vetëm 10 vjet më vonë Papa Inocenti III, për mos të lejuar më trupat foshnjorë të “peshkoheshin” në lumin Tevere ndërtoi një rrotë të tillë në Spitalin e Shpirtit të Shenjtë. Kjo lloj praktike u përhap edhe në Spanjë dhe Greqi por edhe në vende të tjera. Qyteti i parë në të cilën u mbyllën rrotat e të ekspozuarve ishte ai i Ferrarës në Itali, (në vitin 1867) duke vazhduar kështu deri në mbylljen totale që ndodhi në vitin 1923 me qeverinë e parë të Musolinit. Por në ditët e sotme braktisja e fëmijëve nëpër spitale apo maternitete në vendet e Europës, mjerisht, është diçka që tregon vetëm majën e ajsbergut të kësaj praktike sepse ka shumë raste kur fëmijët e lindur në vende sekrete braktisen në vende jo të posaçme. Shpeshherë këto “nëna sekrete” kanë historitë e tyre të dhimbshme. Në Itali ligji flet qartë: duhet respektuat vendimi i nënave këto mund të shkojnë në shtëpi pa fëmijën e tyre por mbi të gjitha mund të rikthehen për të marrë fëmijën  brenda tre muajve. Në të kundërt, fëmija i tyre do të adoptohet nga një familje tjetër. Ndërsa kur fëmija ka lindur me defekte edhe vetë adoptimi bëhet më i vështirë dhe këta fëmijë përfundojnë shpesh nëpër institutet e ndryshme. Për këtë arsye institucionet e ndryshme në Itali kanë vendosur që nëpër kazanët e plehrave të vendosin njoftime në gjuhë të ndryshme, në mënyrë që të sensibilizojnë ‘nënat sekrete” se ka ende një zgjidhje të problemit; ta mbajnë fëmijën, ta adoptojnë, të kërkojnë ndihmë. Gjithsesi të jetë një zgjidhje që ka të bëjë me jetën e fëmijëve të tyre.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›