E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama refuzon transparencën për buxhetin, Besnik Bare flet për bashkinë e Urës Vajgurore

Në Partinë Socialiste, njëri gozhdës, tjetri patkoit

TIRANE - Prej dy ditësh Edi Rama i është rikthyer sulmeve të tij ndaj Partisë Demokratike dhe sidomos Lëvizjes Socialiste për Integrim për votën kundër projektbuxhetit të tij duke pranuar në heshtje se votimi i fundit në Këshillin Bashkiak ishte
i pavlefshëm dhe se plani i tij financiar ka mbetur ende i bllokuar.
Ndërsa dy ditë më parë kryebashkiaku Rama ka nxjerrë vartësin e tij Eduard Shalsi për
të atakuar kundërshtarët e tij politikë, dje ka qenë radha e kreut të PS-së së Tiranës, Besnik Bare, i cili ka kapërcyer “kufijtë administrative”, të degës së partisë që drejton dhe ka folur edhe për buxhetin e bashkisë së Urës Vajgurore.
Besnik Bare, kryetari i degës së PS-ës së Tiranës, i entuziazmuar ka kujtuar se buxheti i bashkisë së Urës Vajgurore ka kaluar me mbështetjen e Partisë Socialiste për kryebashkiakun e LSI-së në këtë njësi vendore, “buxheti i Tiranës mbahet peng i koalicionit kundër Kryeqytetit që PD e LSI kanë krijuar. Teksa ne i qëndrojmë kontratës së 18 shkurtit 2007, Ilir Meta është bërë njësh me Sali Berishën për të bërë në qershor  të vitit 2009 atë që bëri në korrik të vitit 2005. Ne ndërtojmë të ardhmen me qytetarët ata pengojnë të ardhmen duke e marrë peng qytetarët. Ja pse do dalin të dy bashkë të humbur në 28 qershor”, deklaroi Besnik Bare.
Megjithatë, ashtu si në rastin e bashkisë së Korçës, këshilltarët e LSI-së dhe PD-së insistojnë që nuk ekzistojnë paralelizma me bashkinë e Tiranës, pasi kryebashkiaku Edi Rama nuk ka pranuar ende që të zbardhë zërat e projektbuxhetit dhe se në projektin e miratuar prej tij mungonte justifikimi i parave nga ana e bashkisë.
Janë rreth 14 milionë Euro të cilave kryebashkiaku Rama nuk ju ka sqaruar destinacionin, ndërkohë që sipas akuzave të bëra në sallë, ky buxhet kërkon para për investime mbi vepra që tashmë janë përfunduar nëpërmjet investimeve të huaja. Miliona lekë në këtë buxhet janë parashikuar për spote publicitare, ku kryebashkiaku Rama nën okelion e sensibilizimit të publikut parashikon të paguajë media të ndryshme për interesat e tij politike. Përkundër kërkesave për transparence Rama ka shfaqur në mbledhjen e fundit arrogancë të hapur.
“Një buxhet nuk mund të bëhet lojë kungulleshkash, kjo nuk mund të vazhdojë. Ja ku jeni, votojeni buxhetin nëse i mjaftojnë shpjegimet në rast se s’doni është një e drejtë e juaj legjitime pasi përfaqësoni një pjesë të Tiranës. Unë e kreva detyrën ndaj të gjithë jush, shpjegimet janë të bazuara në dokumente ekzistuese që i keni në dorë prej kaq muajsh, merrni një vendim që e gjykoni si më të mirin”, tha Rama në mbledhjen e fundit të këshillit të bashkisë, ku sërish dështoi votimi i projektligjit të bashkisë për vitin 2009.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›