E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet lista e 99-shave që u pyetën për sondazhin e “Zogby”-t

Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Eduard Shalësi, Mimi Kodheli (Mrika) dhe Valentina Leskaj kanë qenë grosistët e mëdhenj të formularëve, të cilët morën përsipër të mbushin të dhënat në emër të 99-shave të Mjaft-it, të rejave të ardhura nga fshati si dhe përfaqësueseve të moshës së tretë. Shifra prej 70 përqind në favor të partisë, pritet të shpallet kur Edvini të rrisë ofertën e tij financiare

Një ditë pas shpalljes së rezultateve të sondazhit të “Zogby”-t po vjen duke u detajuar edhe metodika se si u arrit tek shifrat fantazmagorike, që s’përkraheshin dot as nga më ekstremistët e taborrit të analistëve të majtë. Interesimit tonë pranë rrjetit televiziv që kishte blerë sondashin si dhe pranë selisë ylberiste, iu përgjigjën njerëz të mirëinformuar, të cilët dhanë detaje se si ishte mundësuar deri tek mbledhja e rezultateve dhe shpalljes së shifrave të shumëdëshiruara.
Është krejtësisht e vërtetë se sondimi është kryer, bile posedohen prej redaksisë edhe kopje të kampionëve “zogby”-stë. I pari që dha opinionin e vet ka qenë Erion Veliaj, i cili amerikanëve që ishin njohje të vjetrat të tijat, u tha se ishte fyerje për të që të plotësonte një formular, nga fillimi deri në fund. “S’ka pikë dyshimi, tha ai, Edvini im fiton e këtë, s’e luan topi, po ja 70 përqind, ja 75 përqind, këtë s’jam në gjendje ta përcaktoj krejtësisht. Njëlloj si unë mendojnë edhe 100 shokët e mi të vilës që kemi marrë prej vitesh me qera tek Rruga e Elbasanit. Jemi që të gjithë 99-sha, prandaj edhe s’ka nevojë të lodheni gjatë të mbushni formularët nëpër provincat e Shqipërisë. I kam mbledhur të gjitha mostrat e duhura, këtu tek ish-vila e Mjaft-it në rrugën e Elbasanit, vilë që tashmë përdorohet prej meje me emrin e vërtetë, atë të 99-shave”. I dyti që u pyet prej “Zogby”-t ishte Eduard Shalësi, i cili tha se PS-ja e vetme do t’i merrte 50 përqind e se të njëjtin mendim kishin edhe 600 vartësit e tij në Bashkinë e Tiranës. Pas këtij numri, për “Zogby”-n ishte e thjeshtë mbushja e numrit prej 1000 99-shash. Vetë Mimi Kodheli mori përsipër të mbushte rreth 100 formularë, prej njohjeve të vjetra e të reja, të cilat shkojnë kryesisht tek kujtesa e vjetër si Mrikë, por edhe tek ekskursionet e saj të reja në Pezë, Petrelë e gjetkë. Valentina Leskaj mori përsipër shtimin e formularëve në emër të moshës së tretë, ndërkohë që një freski formulareske premtoi dhe solli Ajola Xoxa dhe përkrahësit e saj unisex, edhe ata, me origjinë anekënd vendit. Që të gjithë të anketuarit mbrojtën idenë se Partia Socialiste do të fitonte 50 përqind të votave fët e fët, por autoritetet e Zogby-t, të regjur me porosi të tilla, thanë se rezultatet e deëshiruara do të shpalleshin më vonë, kur veza të afrohej për të dalë nga vrima, prandaj hë për hë, do të shpalleshin shifrat e paracaktuara e të kuotuara me fondet e duhura. Le të pëllciset Dritan Prifti, i cili shpresonte se Zogby do të mund të tregonte skemën se si ishin mbledhur të dhënat në terren. Asfare! Skema e lartpërmendur është krejt ekskluzive, prandaj edhe s’mund t’i tregohet një armiku anti-zogbist, si Ilir Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›