E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama rrafshon banesa në periferi, lejon pallate shumëkatëshe në zona arkitekturore

Abuzimet e kryebashkiakut Rama me lejet e ndërtimit dhe të ashtuquajturin plan urbanistik
Policia Ndërtimore e kryeqytetit lejon në mënyrë arbitrare ndërtimin e pallateve pa leje dhe prish banesat e qytetareve në prag legalizimesh. Përveçse ka bërë prishje selektive të objekteve të ashtuquajtura ndërtime pa leje, po lejon hapur të bëhen ndërtime pallatesh që shkelin Ligjin e urbanistikës dhe lejen e ndërtimit që u është dhënë. Më konkretisht, ky fenomen aktualisht po ndodhë në ndërtimin e një pallatit të ri në rrugën George Bush, pranë Urës së Tabakëve, i cili po e tejkalon madhësinë e objektit të përcaktuar nga KRRT. Pallati në fjalë po ndërtohet në bazë të vendimit nr. 105, i datës 07. 06. 2008, i KRRT- s së Bashkisë së Tiranë, si objekt për godinë banimi dhe shërbimi. Në dokumentacionin e paraqitur nga shoqëria ndërtuese për këtë objekt, për të marrë lejen e ndërtimit, sipërfaqja dhe madhësia e objektit është e paraqitur si me poshtë; Projekti i pallatit është 4 kate mbi sipërfaqen e tokës, 2 kate do të ndërtohen nëntokë për shërbime të ndryshme. Pra e gjithë godina do të jetë 6 kate në total. Ndërkaq, në pallatin në ndërtim e sipër pranë Urës së Tabakëve, numërohen më sy të lirë 5 kate mbi sipërfaqen e tokës, madje po vazhdohet të ndërtohen edhe mbi katin e 5-të, duke shkelur dokumentacionin e paraqitur për lejen e ndërtimit të objektit dhe duke cënuar hapësirat publike. Ky tejkalim i madhësisë së objektit të paracaktuar në dokumentacion kur është dhënë leja ndërtimit, cënon jo vetëm Ligjin e Urbanistikës dhe hapësirën e objekteve përreth, por i shkakton shtetit një dëm ekonomik, sepse shoqëria ndërtuese paguan një taks më të vogël se çështë objekti në të vërtetë. Ndërkaq, me pozicionin gjeografik që ka, ky pallat është ndërtuar duke cënuar rëndë objektet arkitekturore të vjetra, siç është ajo e Urës së Tabakëve, e cila ruhet si dëshmi e historisë shpirtërore dhe arkitekturore e kryeqytetit. Pallati po ndërtohet fare pranë Urës së Tabakëve duke shkelur ligjin për ndërtimet pranë objekteve të veçanta arkitekturore, i cili nuk lejon pranë tyre ndërtime të reja pa respektuar një distancë të caktuar largësie. Megjithatë, leja për ndërtimin e këtij pallati pa dyshim ka kontekst politik, me persona që janë anëtarë të Këshillit Bashkiak. Kështu që, Policia Ndërtimore, para se të rrafshojë ndërtimet dhe shtëpitë e qytetarëve, nuk duhet të lejojë që bëhen ndërtime të reja në mënyrë të paligjshme. Gjatë ndërtimit të pallateve të reja në kryeqytet, jo gjithmonë zbatohet dhe respektohet madhësia e objektit të legalizuar nga Bashkia. Për zbatimin dhe respektimin e ligjeve për ndërtimin e pallateve dhe për shkeljen e Ligjit të Urbanistikës, përgjegjësi direkt mban Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Ndërtimore, sepse duhet të bëjë monitorimet e duhura gjatë zbatimit të projekteve, duke filluar që nga kriteret e zbatimit të projekteve në përputhje me dokumentacionin.
Ndërhyrja e ndërtimorëve tek Kodra e Priftit
Kohët e fundit policia ndërtimore e kryeqytetit ka bërë prishjen e shumë banesave të qytetarëve në mënyrë selektive dhe krejtësisht të paligjshme. Këtu mund të përmendin ndërhyrjet e paligjshme te Kodra e Priftit, ku u krijua një konflikt midis bashkisë dhe banorëve të kësaj zone, për dëmet e shkaktuara ndaj këtyre të fundit. Policia ndërtimore u vuri fadromën shtëpive të banorëve pa marrë parasysh dëmet që shkaktonin. Përveç kësaj banorët nuk kanë qenë njoftuar përpara për ndërhyrjen që do të bëhej. Firma ndërtuese u paraqitën aty me lejen ndërtimit të dhënë nga Bashkia e Tiranës pa marrë parasysh faktin se aty kishte banorë. Banorët të irrituar i kanë bërë rezistencë kësaj ndërhyrje të pa ligjshme nga ana e bashkisë e cila pretendon se këto ndërtesa janë pa leje. Por ky është një pretendim nga ana e Bashkisë së Tiranës siç shprehen vet banorët sepse, shtëpitë e tyre janë në proces legalizimi dhe kanë në dorë vërtetim nga zyra e Aluiznit për këtë. Policia ndërtimore këtu ka shkelur ligjin e Aluiznit, i cili e ndalon të ndërmarr veprime të tilla.
Në Ali Dem
Ndërhyrje të tjera të paligjshme në prishjen e banesave të qytetarëve ka pasur kur u prish kinemaja Ali Demi në mënyrë të padrejtë edhe kjo, ndërkohë u shkatërruan disa banesa aty rrotull, të cilat ishin me dokumente të rregullta. Vlera e ofruar për shpronësimin e familjeje ishte shumë qesharake. Ndërkaq, dokumentacionet përkatëse të banesave të prishura nuk janë marrë parasysh nga policia ndërtimore.
Në banesën e kreut të minibashkisë nr.3, Ilir Kokona
Edhe banesa e qytetarit Ilir Kokona është prishur nga fadromat e policisë ndërtimore në mënyrë të paligjshme, pa marrë parasysh dëmin e rëndë ekonomik të shkaktuar ndaj familjes Kokone. Ilir Kokona, i cili ishte dhe kryetari i njësisë bashkiake nr.3,  para pak kohësh gjeti banesën e tij të rrethuar nga forca të policisë ndërtimore, ndonëse banesa  ishte me dokumente të rregullta me vendim të KRRT-së, me hipotekë dhe e firmosur nga kryebashkiaku. Prishjet arbitrare të banesave kanë prekur edhe zonën e Kombinatit, të cilat ishin në prag të legalizimeve. Midis banorëve të Kombinatit dhe punonjësve  të Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës është krijua një konflikt, gjatë nismës së këtyre të fundit për prishjen e banesave. Ndërkaq, ka ndërhyrë menjëherë kryetarja e Njësisë Bashkiake nr. 6, Luzhiana Abazi, duke bërë që konflikti mes dy palëve banorë-bashki, të shndërrohet në konfliktin bashki-minibashki. Këto janë shenjat për çdo qytetarë, të cilit mos ti duket e habitshme, kur ndonjë ditë ta shohë veten në mes të katër rrugëve.

Last Updated on Wednesday, 04 March 2009 22:05

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›