E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, një person humb jetën në aksident

 

LEZHE - Dy aksidente me 1 të vdekur dhe 6 të plagosur u shënuan dje brenda një ore, në superstradën Lezhë-Shkodër, në distancë vetëm 1 kilometër nga njëri-tjetri. Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 11:00 në hyrje të fshatit Balldre, ku një autoveturë tip "Volksvagen", drejtuar nga Prel Nika, oficer policie në Shkodër, ka goditur pas një parakalimi të gabuar një motoçikletë që drejtohej nga Simon Popa, 60 vjeç nga fshati Rraboshtë e Lezhës. Si pasojë ka mbetur i plagosur rëndë 60-vjeçari, i cili ndërroi jetë në spitalin ushtarak. Drejtuesi i autoveturës që shkaktoi aksidentin është ndaluar nga policia deri në sqarimin e rrethanave. Vetëm një orë më vonë, një tjetër aksident u regjistrua, këtë herë në dalje të fshatit Balldre. Si pasojë e manovrave të gabuara, një autoveturë tip "Volksvagen" me targë të Lezhës që drejtohej nga 28-vjeçari Marjan Pemaj është përplasur me një furgon taksi, me targë të Shkodrës, që drejtohej nga 42-vjeçari Gëzim Zijuka nga Shkodra. Brenda furgonit ndodheshin 4 pasagjerë që udhëtonin në drejtim të Lezhës. Përplasja ka qenë e fortë mes dy automjeteve, duke bërë që ata të dalin jashtë rrugës, duke i plagosur të gjithë udhëtarët. Një tjetër ngjarje ndodhi, kur një motoçikletë, e cila ecte me shpejtësi të madhe ka goditur një efektiv të policisë, në kohën kur ai po ruante vendin e aksidentit. Shoferi është larguar me shpejtësi, duke mos lënë kohë për identifikimin e tij.          r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›