E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet pa jetë në motel 70-vjeçari

 

LIBRAZHD - Pas dy ditësh nga vdekja gjendet në dhomën e një moteli në Librazhd, trupi i një 70-vjeçari. Pronari i objektit është interesuar për klientin, i cili nuk kishte dalë fare prej dhomës. Ai ka hapur derën me dhunë, pasi askush nuk iu përgjigj, duke zbuluar dhe fatin e Kosta Alimetës, nga Zdrajçi i komunës Orenjë. Menjëherë, pronari ka lajmëruar policinë, duke dyshuar se mund të bëhej fjalë dhe për ndonjë vrasje apo vetëvrasje. Nga ana e ekspertëve të policisë së Librazhdit dhe të Elbasanit është konfirmuar fakti se mbi të moshuarin nuk kishte shenja dhune. Pas identifikimit të viktimës u mësua fakti se ai kishte pak ditë që ishte kthyer nga Greqia, aty ku jeton e gjithë familja e tij dhe ishte vendosur në motelin që ndodhet buzë unazës së qytetit të Librazhdit prej tre ditësh. Të njëjtat burime saktësuan se 70- vjeçari ishte parë në disa ambiente publike të këtij qyteti teksa takohej me miq dhe shokë të tij që i kishte prej vitesh. Dyshohet se ai kishte dhe një sasi parash me vete. Grupi hetimor gjeti në xhepin e një bluze të viktimës një medikament, të cilit do t'i kryhen analizat për të verifikuar llojin. Sipas dëshmive nga pronarët e motelit, ata nuk kanë parë ndonjë person të hynte në dhomën e të moshuarit. Paraprakisht, policia pohon se vdekja ishte natyrale, ndërsa pritet përgjigja e autopsisë.              a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›