Kurajozi Ditzi Bushati
Kur e mendon, të ngjethen mishtë, kokriza të bëhet i gjithë trupi. Një kohë vërtet e të paftyrëve, të pa asgjëve. Koha e të ndyrëve. Ditëzi Bushati, ç`kërmë!
Shije e pashlyeshme, mbresë e neveritshme, kur sheh ngrefosur pa pikë turpi, një monstër të së shkuarës, pa asnjë diferencë me atë që e solli në jetë, këtë fatkeqësi, këtë produkt që në të vërtetë menduam se kishim shpëtuar njëherë e përgjithmonë prej saj.
Si një mallkim përballë Lulzim Bashës, kjo merimangë e zezë, terri 50-vjeçar i popullit tim, vula e vuajtjes, mjerimit, izolimit dhe i vetmi shkaktar i të gjitha të këqijave, o Zot, shtriqej në kolltukun e bardhë të atij debati televiziv, rehatohej e zbrazte nga gjirizi i tij, në jetë të jetëve i papastruar, helm e pesticide, a thua se nuk i kishin mjaftuar farës së tij 50 vjet për ta bërë këtë.
O po kjo nuk është demokraci, kjo është poshtërsi, pasi ai ligji i lustracionit me kohë e me vakt duhej të kish dalë, të ish miratuar, i pari fare, pa miratuar asnjë ligj tjetër, ai duhej që kërmat e politikës në jetë të jetëve të mos guxonin të gëlonin e jo më të kishin kurajon për të vjellë ekraneve e podiumeve gjithfarë gjepurash e poshtërsish, a thua se ky popull nuk është i zoti të lindë ndryshe, nuk është i zoti të përmirësojë të sotmen e të nesërmen e tij.
O njerëz kam detyrimin njerëzor t`u bëj me dije se ajo qënie është as më shumë e as më pak por djali i Sekretarit të parë të Partisë Komuniste Sulejman Bushati. Kurrë nuk kemi urryer dhe asnjëherë nuk kemi bërë thirrje të urrejmë njerëzit që punuan në atë kohë të flamosur, assesi, pasi jeta sigurisht që ka nevojë të punosh për të jetuar e mbijetuar por, ne kemi urryer bëmat e tyre, mënyrën se si u sollën e na trajtuan për 50 vjet, atë që na konsideruan një kavie dhe eksperimentuan me ne deri në kufijtë e mosdurimit, atë urrejmë dhe duhet ta urrejmë, duhet të bëjmë kujdes të mos na kthehet kurrë. Ndaj, o njerëz u revoltova kur Ditëziu, na tregonte se ç`duhet të bëjë Ministri i Jashtëm i Partisë Demokratike.
Në një këndvështrim ai ka të drejtë, sepse ishte pikërisht kjo forcë politike që i rrëzoi nga froni këto faraonë. Pra nisur nga kjo anë ai ishte në rregull dhe duhej ta shfrytëzonte atë foltore për të shfryrë mllefin e këtyre 20 vjetëve demokraci e pluralizëm, pse jo, kur Partia Socialiste, kjo shterpë parti nuk është e zonja të lindë, e jo më të lindë ndryshe. Sigurisht që Ditëzi Bushati, kishte arsye të mjafta të nxinte e zhbënte gjithçka. Në këto 20 vjet ai pikërisht këtë moment kishte pritur, ashtu i heshtur i ishte gëzuar faktit të shterpësisë së PS, kishte fërkuar duart për 20 vjet me radhë që kjo Parti e pazonja të vetëpastrohet e të vihet krahas si motrave të saj europiane, do ti shtrinte dorën atij, dhe ajo (PS) të kuptonte se ishte Parti e tij dhe e shtresës së tij.
Eh, Ditëziu të gjitha mirë i kishte menduar vetëm kohën e kish harruar si nocion, kish harruar se jemi në 2009, 20 vjet pas shporrjes së farës e soj e sorrollopit të tij nga drejtimi i këtij vendi të shumëvaujtur e të nëpërkëmbur. Kishte harruar se vërtet mund të dal në një ekran apo podium por se çfar mund të provokojë, kurrë nuk e kishte menduar, besoj, asnjë herë.
Ashtu siç dijnë vetëm ato të fshihen, ky mashtrues ordiner, guxoi të shkojë më tej duke nxjerrë faqe të gjithëve pemën gjenealogjike të familjes së Bushatllinjve të Shkodrës, o Perëndi, sa i pafytyrë. E në vend që të kërkonte falje publikisht për turpin që i shkaktoi babai i tij, atij fisi e asaj familje të nderuar dhe me histori të madhe, bëri të kundërtën duke shtuar rradhët e atyre që e poshtërojnë atë familje, duke na vërtetuar se ç`gjëmë ju bëri ai regjim familjeve të shkëlqyera shqiptare, duke i poshtëruar, duke jua hequr shkëlqimin deri shkërmoqjen e shpërbërjen e farës së tyre. E ky Ditëzi, duke dashur të ngrejë veten e babanë, sinkron të shkuarës së hidhur të 50 vjetëve më parë, guxoi të na tregojë se ishte pasardhësi i Bushatllinjve. Mos, o Zot. Kurrë mos e dhëntë Zoti, pasi as në edukatë e jo më në kulturë e më tej ai produkt nuk kishte pikë ngjashmërie me Bushatllinjtë. Gjithë kohës ai njeri (më falni që po i atribuojë ato që nuk e ka) vetëm sharje, fyerje e shpifje sajoi për dy orë rresht. Kurrë nuk do ta bënte këtë një Bushatlli, asnjëherë e në asnjë rrethanë.
Shikoni, o njerëz, sajesa e diktaturës se ç’na broçkullisi në mënyrën më të ndyrë të mundshme, barazoi gjithë gëzim për gjetjen, Ministrin tonë të jashtëm me dy kriminelë serbë, Mlladiç e Karaxhiç, vrasës e masakrues të popullit shqiptarë. Dy kriminelë që njërin e ka në burg Gjykata e Hagës për krime kundrejt njerëzimit, e tjetrin në kërkim për të njëtin krim. A do ta bënte këtë një pinjoll i Bushatllinjve? Kurrë. Këtë do ta bënte gjithmonë e vetëm, një pinjoll i diktaturës më të ndyrë të Europës, vetëm një bir Sekretari të Parë, askush tjetër.
A nuk është e dhimbshme, miqtë e mi, që ende jemi peng i kësaj fare, peng i produkteve të saj, peng i së shkuarës së pamerituar të këtij vendi! A nuk është e dhimbshme që ajo çka ofron Partia më e madhe e opozitës për të votuar e si një alternativë përtej së majtës e të djathtës, është ky soj të paudhësh.
Pra miqtë e mi, përtej së majtës e të djathtës na qenka Nomenklatura e kuqe e Komunizmit me Edi Lanën e Ditëzi Bushatin me shokë. Jo, o përfaqësuesit e së djeshmes, përfaqësuesit e së keqes, i kemi ende me gjak e të pashëruara plagët e shkaktuara nga ju, nuk mundet ky popull e ky vend t`ju ndjekë pas, boll ja nxitë jetën për 50 vjet.
Ç’doni më?
...