E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfim për “këngën” e Ramës dhe killerat e kuq

“Ngrihu!” është sinonim i fjalës “çohu!”, të cilën Edi Rama e ka zgjedhur si titull të këngës - himn të Partisë Socialiste për fushatën zgjedhore, që do të finalizohet në 28 qershor të këtij viti me Parlamentin e ri shqiptar. “Ngrihuni dhe bjeruni/ korrini dhe shtypini/ katundarë e punëtorë/ që nga Shkodra gjer në Vlorë…”, artikulon një kushtrim revolucionar, përmes vargjesh, Fan S. Noli. “Çonju shqiptar prej gjumit çonju/ e të gjithë si vllazën/ nën një besë bashkonju…”, thërret poeti ynë i Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda. Pushtimi dhe copëtimi i vendit nga të huajtë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar ishte një shkak i fortë për t’u reaguar në mënyrë revolucionare, ndaj thirrja apo kushtrimi nën fjalët “ngrihu!”, “çohu!” apo dhe “bashkohu!” ishte më se i përligjur. Jo pak janë përdorur këto fjalë si thirrje revolucionare edhe gjatë viteve të monizmit për të dënuar, demaskuar, vrarë, varur në litar apo dëbuar e internuar “armiqtë e brendshëm” të Diktaturës së Proletariatit në Shqipëri. Partia e Punës ishte “maja e shpatës…” dhe “syri në shtjegëz e gishti në këmbëz…” sa herë që “armiqtë e brendshëm” synonin pushtetin popullor, që ishte “një dhe i pandarë”.


Plotë 18 vjetë më parë, Partia e Punës u shndërrua në Parti Socialiste duke kapërcyer “ylberin” e Kongresit të X të PPSH-së me “shokun Ramiz Alia në krye”. Ndërkohë ishin zhvilluar zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit ’91, ku Partia e Punës e Shqipërisë dhe “levat” e saj të monizmit kishin marrë shumicën e deputetëve. Kësisoj, të gjithë organet e pushtetit sanksionin apo reflektonin “rolin udhëheqës të PPSH-së në shtet dhe shoqëri”. Por kjo mazhorancë puniste, megjithëse absolute, ia kishte frikën opozitës së brishtë të Partisë Demokratike, ndaj aktivizoi të gjithë organet e diktaturës për ta frikësuar atë me metodat militare të luftës së klasave. Nuk kishin kaluar më shumë se 2 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve të 31 marsit ’91, kur këto organe e mbytën Shkodrën në gjak, duke vrarë 4 të rinjë – themeluesë e aktivistë të Partisë Demokratike në atë rreth. Edhe këtë herë, që pushtetin e kishin marrë me “votë”, kërkonin ta mbronin me gjak. Pastaj ndërruan “qimen”; pra emërin e partisë., nga PP në PS. Bota s’i besoi për vite me radhë, siç ka rrëfyer në mënyrë teëpr të sinqetë Ilir Meta në një emision televiziv, ndërsa ne menduam se kishin ndryshuar edhe “zakon”.


Ngjarjet e ‘97-s ishin dëshmia më e qartë e gabimit fatal që ne kishim bërë duke e sjellë “gjarpërin e ngrirë” të pluralizmit partik në “vatrën” e Demokracisë. Mjaftoi thirrja majtiste: “O djem, rrëmbeni pushkët! Ja vdekje, ja liri!” dhe ai na u hodh në grykë, duke na i ngulur “dhëmbët e helmit” në një moment që ne kishim shpallur miqësi me këtë “kafshë politike”. Pastaj për 8 vjetë rresht na kanë vrarë duke vënë “baste fëmijësh” me njeri tjetrin; ja ashtu siç më kanë treguar një ngjarje nga “ditët e zjarrta” të ’97-s në në rrugën Tepelenë-Memaliaj. “Ishin 2-3 të rinj të armatosur si “gjithë populli ushtarë” i asaj kohe, matanë Vjosës, kur vjen një makinë (autoveturë), e cila udhëtontë në drejtim të Memaliajt. Hidhet dikush prej tyre e thotë: “Hajde e vëmë me bast, kush e qëllon atë makinën”(!?) Dhe me radhë marrin vijë shënimi. Qëllojnë disa herë, kur dikush prej tyre kishte goditur në shënjë, teksa shohin makinën të dalë nga rruga e të bjerë poshtë në lumë”. Nuk dihet kush qe ai fatkeq, trupin e të cilit kushedi se ku e ka çuar lumi Vjosë, por historia e treguar është e sakt. “Paramilitarët e rinj” e kishin “raportuar” ngjarjen me imtësi në “komandën” e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar për zonën e Memaliajt, e cila i përgëzoi këta “vrasës me tësër të kuqe” për aktin “heroik” që kishin kryer.


Që të gjitha vrasjet janë bërë pa “gjyq”, duke filluar me vrasjen e Liderit Historik të Dhjetorit, Azem Hajdarit, pas disa tentativash, si në rastin e ngjarjes që sapo treguam. Atentati i parë i pasuksesshëm ndaj z. Hajdari u krye në mes të Parlamentit shqiptar dhe killeri ishte një ish-deputet e drejtues i majtë partie në zonën e Hasit. Pasi qëlloi plotë 5 herë në drejtim të deputetit Hajdari dhe mendoi se mbaroi punë me të, killeri i kuq po kërkonte se, ku ishte Berisha? Po për fat, lideri demokrat ende s’kishte ardhur në sallë. Ndaj Berishës kishin dështuar edhe njëherë tejtër më parë, në një atentatë me granadë në një fshat të Durësit, pasi ky ishte rasti i dytë. Në ditët e mëvonshme, mesa duket, “me porosi nga lart”, hoqën dorë nga Berisha dhe iu qepën me “bukë në trajsë” vetëm Liderit Historik të Dhjetorit, z. Azem Hajdari, duke i kryer disa atentate rresht, deri sa në 12 shtator ’98, pas një organizimi të gjithënashëm me ndihmën e “shtetit killer” i morën jetën në derën e selisë së PD-së. Në këtë formë, për 8 vjetë rresht të qëndrimit në pushtet të social-komunistëve, u vranë apo u plagosën rëndë mbi 25 anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, ku bie në sy edhe hedhja shtetrore e bombës në oborrin e mbushur me nxënës të një shkolle te mesme në Tropojë, pas një vizite atje të ish-kyeministrit Meta. Këto vrasje politike të killerave të kuq u finalizuan me vrasjen e një komisioneri në djathtë nga një militant i majtë në zgjedhjet e 3 korrikut ’05, teksa ish-komunistët shihnin që po humbisnin pushtetin.


Ka dy momente kur të kuqtë ngrenë armë edhe në demokraci ndaj kundështarëve të tyre politikë, të cilët vazhdojnë të konsiderohen ende “armiqë të partisë dhe të pushtetit popullor”. Momenti i parë është kur duan të marrin pushtetin dhe i dyti kur duan ta mbrojnë atë. Por në çdo rast, “busull për veprim” është sentenca marksiste: “pushteti merret dhe mbrohet me grykën e pushkës”. Herë e dukshme dhe herë e padukshme, kjo ka qënë një strategji konstante e social-komunistëve, qysh nga viti ’91. Mbi bazën e një strategjie të tillë kurthngritëse i kanë bërë thirrje herë pas here Prof. Dr. Sali Berishës, që të shkojë në Tropojë, të cilën killerat e majtë e kishin shndërruar në një fërngji për të shtënë mbi bijtë demokrat të asaj treve. Me Azemin i mbyllën hesapet qysh në ’98-n. Të njëjtin “kurth” kishin menduar të ngrinin edhe ndaj Berishës, me të vetmin ndryshim që mos e ekzekutonin në “vendbanimin politik”, por në vendlindjen atërore. Ata mendonin se kështu ishin edhe më të mbrojtur nga opinioni, duke sajuar ndonjë intrigë si në rastin e Hajdarit, të cilin e vranë në derën e selisë së PD-së. Me një PD, pa Azemin dhe pa Berishën, ata e kishin të garantuar pushtetin e përjetshëm edhe në pluralizëm. Por pasi eleminuan Azemin ata e kishin të vështirë të eleminonin fizikisht edhe Berishën, ndaj ndërruan strategji për ta “vrarë me pambuk” ose politikisht liderin demokrat, nëpërmjet shpifjesh dhe inskenimesh monstruoze. Dhe për një farë kohe ia arritën qëllimit, derisa shqiptarët u ndërgjegjësuan për të vërtetën, duke e rikthyer triumfalisht Berishën dhe Partinë Demokratike në krye të vëndit.


Pas ‘05-s u bë e vështirë veprimtaria guerrilase e të majtëve, pasi qeveria “Berisha” filloi t’i vërë një e nga një para ligjit bandat dhe banditët e kuq. Por nëse perifrazojmë një thënie marksite për pronën private, për të përkufizuar lidhjen midis banditëve dhe komunistëve, mund të themi që: “Familja socialiste lind çdo ditë dhe çdo orë killera të kuq”. Një prej tyre u shfaq para ca ditësh në Qerret të Durrësit dhe i mori jetën një të riu demokrat, i cili ishte duke ngritur një flamur të PD-së. Kështu ia morëm jetën para ca vitesh edhe një të riu vlonjat, në mitinguan madhështor të organizuar në Sheshin e Flamurit gjatë pritjes që i rezervuan liderit demokrat Sali Berisha, i cili shkelte për herë të parë në qytetin bregdetar qysh nga koha e “rrebelimit evgjito-fshataro-komunist” të ‘97-ës. Megjithatë demokratët nuk mund të bëjnë refren të veprimeve e qëndrimin e tyre vargjet e këngës: “vritu e pritu për flamur/ ata hiq e neve vur”, sikundër bëjnë ata vargjet me frymë revolucionare të viteve të pushtimit: “o djem rrëmbeni pushkët/ ja vdekje, ja liri”.


Në disa raste social-komunistët janë treguar edhe “të moderuar” në kushtrimet dhe vrasjet e tyre politike, duke e konsideruar pushtetin e PD-së si “pushtet të çeçenëve”. Siç dihet, veriu ka qënë baza e disidencës shqiptare në vitet e “pushtetit popullor” me “diversantët”, “priftërinjtë katolik”, “të arratisurit politikë”, etj. Ishte qënia “verior” ajo që u kushtoi jetën më shumë se 20 vetëve, të cilët në 9 janar ’04 tentuan të iknin me gomone në dhe të huaj. Ata u lanë në vdisnin në det, thjeshtë, për këtë “origjinë të urryer politike”. Ndërsa një ndër format e moderuara të kushtrimit revolucionar është kënga “Çohu!” e Edi Ramës dhe grupit “Westside Family”, e shndërruar në himn të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit. Jo pa qëllim motivet e këngës janë zgjedhur nga veriu dhe melodia e saj i ngjan një kushtrimi luftarak. Karakteristikë e një kushtrimi të tillë është gjëmimi i daulleve, aq i pranishëm në shoqërimin e këngës “Çohu!”. Thirrje u bëhet të gjitha shtresave shoqërore që t’i bashkohen Edi Ramës për një “politikë të re”. Kjo këngë dhe ca britma sharjeje janë gjithëçka dëgjon nga një miting elektoral i Ramës. Nuk artikulon asnjë alternativë, sikur ka qënë “në mal me partizanët”. Pra njëlloj si në vitet e luftës, për të shporrur “pushtuesin” e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Të majtët nuk mund të kuptojnë ndryshe pluralizimin veçse si “kontraditë antagoniste”. Pra kundërshtarët politik shihen prej tyre si armiqë, të cilëve “u duhet treguar vendi”. Ndaj çdo kërcënim që ata bëjnë duhet marrë seriozisht. Një Dit(kuq)mirë i “familjes socialiste” kërcënonte hapur në një emsion televiziv Ministrin e Jashtëm, z. Lulzim Basha se, “s’do ketë vrimë ku të futet pas zgjedhjeve të 28 qershorit”. Kryekëngëtari i PS-së i artikuloi këto fjalë në një miting elektoral në zonën e Mallkastrës me sa fuqi kishte, pastaj lëshoi këngë-kushtrimin: “Çohu!”.


Shfaqja e killerave të kuq dhe kushtrimit revolucionar në vitin ’09, ndërkohë që Shqipëria është bërë vend anëtar i NATO-s dhe po ecën me shpejtësi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian është një shënjë e keqe, që tregon se Rama kërkon pushtet me çdo kusht. “Nuk durohet më edhe katër vjetë të tjerë”, thotë Edi Rama, njëlloj sikur këto fjalë të përbëjnë lëngun e shtrydhur të vargjeve Çajupiane: “Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri/ O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje, ja liri!” E majta, kudo në botë i tremb njerëzit me hijen e revolucionit, por e majta shqiptare e ka bërë realitet marrjen e pushtetit me mjete të tilla edhe në Demokraci, bash jo më larg se para 12 vitesh, në 29 qershor ‘97. Një fromë të tillë revolucionare paralajmëron kënga “Çohu”, e cila më shumë se sa me vargjet dhe muzikën, tremb me titullin e saj. Ndërsa Edi Rama, më shumë se sa me zë, të tremb me gjestet shoqëruese të kësaj kënge, duke u ngërdheshur frikshëm. Zoti na ruajt nga këto monstra politike!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›