E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama, spekulanti që i kthen dhimbjet njerëzore në vajtime politike

26-02-2013 / Gazeta 55

Kryetari i opozitës sërish ka bërë dje nekropolitikë, duke patur paturpësinë të sulmojë Policinë e Shtetit, ditën kur ajo po përcillte për në banesën e fundit, kryekomistar Dritan Lamajn

Në tre ngjarjet e fundit ku oficerë të lartë të policisë së Shtetit ranë në krye të detyrës për t’u bërë dëshmor të Atdheut, i vetmi që nuk u solidarizua me Policinë e Shtetit dhe dënuar krimin makabër ishte kryetar i PS, Edi Rama. Përkundër kësaj, kreu i PS synon sa herë të përfitojë kapital  politik mbi oficerët e lartë të Policisë së Shtetit të vrarë nga dora e zezë e kriminelëve të përgjakshëm. 
Ai deklaroi dje, ashtu siç ka ndodhur në raste të mëparshme se policët i vrau qeveria. “Jemi në një situatë të pa tolerueshme, që  ka përgjegjës, që ka fajtorë dhe atyre që guxojnë të thonë se opozita po i përdor politikisht, u themi se është politika e dështuar e pushtetit, përgjegjëse për këtë kriminalitet dhe vrasje”, deklaroi kreu i PS, Edi Rama.
Me këtë qëndrim publik, kreu i opozitës as u solidarizuar me kolegët e policit të vrarë as dënoi krimin kundër uniformës së shtetit, por për interesa të ngushta të politikës së ditës tregoi me gisht fajtorët.
Padyshim natyra nekropolitike e Edi Ramës u shfaq edhe kësaj herë në aluzionin se policia është “tradhtuar”, duke dhënë edhe një herë mesazhin e dekonspirimit të brendshëm. 
Me ndërgjegje të plotë Edi Rama përdori funeralin për të bërë politike dhe i parapriu cinikisht qortimit të medias se, “opozita përdor politikisht ngjarjen”.
Padyshim Edi Rama për motive të dobëta politike po kthehet në spekulantin e pandjeshëm që i ktheh dhimbjet njerëzore në vajtime politike. Kështu ka ndodhur në rastin e vrasjes kriminale të Shefit të Komisariati të Shijakut, Adem Tahiraj dhe shefit të komisarit të Burrelit, Musa Skura. E njëjta gjë është konfirmuar me vrasjen e pabesë të ish-shefit të komisariatit 6 në Tiranë, Dritan Lamaj. 
Gjithashtu duhet theksuar se, pavarësisht premtimeve  të fundit elektorale  për reformimin e Policisë, në të vërtetë kreu i PS Rama kundrejt uniformës së policisë së Shtetit ka një urrejtje të ftohtë. 
Dy vitet e fundit opozita ka organizuar disa fushata shkurajuese kundrejt Policisë së Shtetit dhe uniformave shtetërore duke barazuar policinë me krimin ordiner, çka bëri dje edhe Edi Rama. Ka prej tyre që shikojnë tek sjellja e Edi Ramës kundrejt uniformës së Policisë një hakmarrje të ftohtë politike n sidomos pas ngjarjeve 21 janarit 2012, ku forcat e sigurisë ndaluan orvatjen radikale të përmbysjes së rendit Kushtetues me dhunë. Qëndrimet publike të kreut të opozitës janë një papërgjegjshmëri totale sepse të dalësh  kundër krerëve të policisë së Shtetit, apo ndaj Ministrisë së Brendshme qoftë dhe me aluzione kriminale, do të thotë të jesh kundër institucioneve dhe të hapës shtegu të justifikimit të krimeve. Po e konceptuam policinë si përgjegjëse për rritjen e shkallës së kriminaliteti është sikur të thuash sëmuremi më shumë sepse mungon mjeku.
Policia e Shtetit është arma kryesore e ligjshme për të mbrojtur qytetarët nga padrejtësia dhe instiktet vrasëse të kriminelëve të organizuar dhe ordinerë.
Solidarizimi me uniformën e Policisë dhe jo keqpërdorimi i ngjarjes tregon maturi publike. Dënimi i krimit publikisht shton fuqi në opinionin kundër ngritjes së dorës ndaj shërbyesve të shtetit dhe jo keqpërdorimi politike i vdekjes së tjetrit. Gjetja e fajtorëve është kompetencë e kolegëve të policit të vrarë dhe jo e kreut të papërgjegjshëm të opozitës.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›