E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri: Rama e ka të sigurt humbjen më 23 qershor, po përgatit skenarin e vitit 2009

26-02-2013 / Gazeta 55

Kreu i mazhorancës ironizon në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, lidershipin socialist/Berisha: Edi Rama e do Shqipërinë cullak

Kryeministri Sali Berisha ironizon deklaratat e Edi Ramës në Konventën socialist, duke theksuar se alternativa e kryesocialistit ishte “të zhvishemi lakuriq”.
 Sipas kryeministrit, për Edi Ramën Shqipëria “cullak”, është Shqipëria ideale.
“Lidhur me kampin tjetër, nuk kam ç’të them më shumë. Kërkesat e tij ishin shumë - shumë personale. Nuk kishte asgjë publike në to. Ai tha; le të dalim në Shqipërinë e vërtetë, sepse jemi në Shqipërinë e gënjeshtrës, le të zhvishemi. Ai kërkon Shqipërinë ‘cullak’. Por nuk mund të ndodhë kjo. Alternativa e tij ishte; ‘të zhvishemi lakuriq’ dhe e shqiptonte atë fjalë, absolutisht, me një pasion që i dilte nga e tërë qenia e tij. Ai le ta ketë për vete këtë pasion, por ç‘punë ka me të tjerët! Për të, Shqipëria ‘cullak’ është Shqipëria ideale. Pra, çdo gjë atij i vinte nga psiqizmi i tij, edhe Shqipëria e gënjeshtrës, sepse ai jeton në gënjeshtra. Unë e kam thënë dhe sërish e them; ‘fundi i njeriut është kur ai beson në gënjeshtrat e tij’ dhe ato atij i duken të vërteta, ndërsa gjithë gjërat e tjera i duken gënjeshtra”, tha Kryeministri.
Me doza të forta humori dhe ironie, kreu i qeverisë komentoi edhe propozimin e Edi Ramës për 250 mijë vende të reja pune për gratë.
“Së treti, ky problemi i 250 mijë vendeve të punës që ai tha për gratë, ishte ‘bukëvala’ e fundit që ai lëshoi në tregun mediatik. Ai beson se mund të mashtrojë kaq kollaj. Por unë jam i bindur që gratë, që të gjitha, kanë kthyer kokën mënjanë. Pra, ato kanë bërë benë se nuk ia japin votat. Ky është gjithë problemi i tij. Në të vërtetë, ky ishte një lloj ofendimi për gratë. Nuk e di se çfarë ka ky njeri që tani bën gjithçka për t’u paqtuar me gratë, - Zoti ia shtoftë dëshirën, - paçka se ditën e Shën Valentinit, akti i parë që bëri ishte të sulmonte një grua”, theksoi Berisha.
Duke u ndalur specifikisht në punimet e Konventës së PS, Berisha tha se Rama po vendos në krye të partisë neobllokmenë dhe 99-sha. Sipas kryeministrit, kreu i PS po përgatit me vendosmëri për zgjedhjet e 23 qershorit, skenarin e vitit 2009.
“Unë ju garantoj se, siç do ta shihni, zoti Edi Rama po përgatit me vendosmëri skenarin e vitit 2009. Ai në konventën e tij dekapitoi de facto Parinë Socialiste dhe i vuri asaj atë kokë që ka kohë që e drejton dhe e sundon, i vuri asaj 99-shat, një grusht më të ngushtë neobllokmenësh. Dhe ju e patë se kush e paraqiti programin e Nastradinit. Ilir Beqja, një neobllokmen që ka meritën e veçantë se ka ndarë paratë e tenderëve publikë me baxhanakun e kryetarit. Pastaj ishin Mjaft-i dhe 99-shat, të cilët morën frenat e partisë, mund të themi, 70 vjeçare. Unë prisja që t’i ndryshonte edhe emrin. Dhe mos u çudisni që shumë shpejti t’i ndërrojë edhe emrin. Kështu që largoi të gjithë eksponentët e Partisë Socialiste, sepse, sipas tij, e turpërojnë atë parti. Ndërkohë që e nderon Erjon Veliaj, për meritën e vetme se ndërtoi vilat me paratë e Mjaft-it dhe vodhi kompjuterin e financave për të zhdukur gjurmët. Këto janë probleme të brendshme që ne nuk na interesojnë. Ajo që është e sigurt, Edi Rama e di që në zgjedhje ka të garantuar humbjen. Kjo jo vetëm për faktin se në tërësinë e tij ky ka në biografinë politike, jo në atë biologjike, numrin e disfatave më të mëdha, të rreshtuara njëra pas tjetrës, se çdo politikan tjetër në Evropë. Pra ky e di që është një politikan - siç do t’ i thoshte një diplomat i shquar, shumë shumë i mirë, - për të qëndruar përfundimisht në opozitë. Ai e di këtë. Ai e di, gjithashtu, që shqiptarët nuk mund t’ia falin pucin që organizoi për marrjen e pushtetit dhe e ndëshkuan atë në zgjedhjet e 8 majit, në mënyrën më të merituar. E dinë që shqiptarët, të përkushtuar për vlerat e demokracisë, nuk mund të shohin në krye të tyre aventurierë të etur për pushtet, që mendonin se edhe me zjarr do të mund të vinin në krye të vendit. Edi Rama ka një frikë të madhe nga vota, ka një frikë të paimagjinueshme, ndaj dhe po përgatit vjeshtën e tij, që në fakt, do të jetë dimri më i thellë që ai ka përjetuar”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se megjithëse Edi Rama thotë se perëndimi nuk kërkon njohje rezultati, pasi po përgatitet për të mos i njohur zgjedhjet, kryeministri theksoi se, “i them një mijë here. Bëj ç’të duash dhe kurrë mos i njih. Zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme dhe ti në mënyrë absolute do të anashkalohesh nëpërmjet referendumeve dhe nuk do kesh më mundësi të bllokosh integrimin”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›