E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Koço Kokëdhima premton vende pune...

13-08-2013 / Gazeta 55

Njeriu famëkeq me miliona paga të papaguar punonjësve të tij, ai që me 14 kompanitë e tij i ka shkaktuar shtetit një humbje prej 2 milionë eurosh taksa të papaguara, ka nisur një tur vizitash në jug në kërkim të CV-ve të socialistëve, me “premtimin” se do t’u gjejë punë. Fund e krye tallje dhe hipokrizi me të papunët, të cilët gjithsesi mbeten me shpresën e punësimit, por kurrsesi jo përmes platformës zhvatëse dhe spekulative të Koços

Prej ditësh tashmë qarkullon në internet një thirrje publike e Koço Kokëdhimës, për të dorëzuar tek ai CV-të të gjithë ata që janë në kërkim të një vendi pune. Koço premton punë përmes të njëjtës metodë dhe rrugë të Edi Ramës; “dorëzoni CV-të se partia do mendojë edhe për ju”. Kreu i PS mban rekord në budallallëkun e CV-ve të partisë dhe për këtë u bë gazi i botës, por sërish fytyra s’iu skuq. Partia nuk krijon dhe as nuk të gjen vende pune. Partitë politike janë institucione dhe organizata politike vullnetare që tubojnë njerëz me orientime dhe me përcaktime të njëjta politike dhe këtu s’duhet ngatërruar sistemit demokratik ku pluralizmi garanton konkurrimin me atë komunist ku aktiviteti i partive politike është i kufizuar në jo më shumë se 1 forcë politike. Të tjetër janë armiq të popullit. Këtu partia mendon për popullin, për të papunët, për të varfrit etj., por asnjëherë nuk jep zgjidhje. Edi Rama u thotë shqiptarëve se partia e tij, PS si trashëgimtare e PPSH, mendon për të papunët, për të varfrit, për të rinjtë dhe të rejat. Edhe si mendon? Përmes CV-ve! Pra, gjithçka do mbetet në kuadrin e dorëzimit të CV-ve dhe për këtë do fillojë lëvizja “Dorëzuam CV-të, duam punë”. Por në të vërtetë punë s’ka. Sepse punët, Rama & Co. i kanë shpërndarë për rrethin e tyre familjar, nga kushërira Harito, burri i ish gruas, pronari i “Hermes-it”, ai i In-Tech-it, Peleshi i Korçës, e me radhë duke kompletuar të gjithë oborrin klientelist që është trashëguar nga Bashkia e Tiranës. Pra, për socialistët e thjeshtë, për ata që kanë dorëzuar CV-të, s’ka dhe as do të ketë punë. Por, pa i shkuar deri në fund Edi Rama, hipokrizisë së punësimit me CV, nxitoi dhe fluturoi drejt Sarandës kryetari de facto i PS, Koço Kokëdhima. Nuk dihet ende se çfarë afere fshihet pas premtimeve të Kokëdhimës, pasi e sigurt është që kalkulimet e tij pritet të jenë fitimprurëse pas këtij procesi farsë. Njeriu me miliona euro borxhe të papaguara punonjësve të tij, s’është garanci për punësimin e shqiptarëve. Është tallje dhe njëherazi sjellje tinëzare të besosh se Koço të gjen punë, Koço të paguan, në një kohë kur ai njihet si punëdhënësi më i dështuar në historinë e kapitalizmit shqiptar, njeriu që me 14 kompanitë e tij i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 2 milionë eurosh, nga mospagimi i taksave. Këto dhe shumë bëma të tjera të Koços e kompletojnë profilin e tij si spekulator dhe karakter të pabesueshëm para qytetarëve shqiptarë.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›