E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama standarde të dyfishta, shiti tokën që minimalisht vlente 1500 euro m2, për 97 euro m2

Vazhdon denoncimi i Sokol Olldashit, Ministrit të PPTT, për abuzimin tek “Taiwan”-i

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi në një konferencë për shtyp dje u ku ka publikuar disa fakte të reja në lidhje me çështjen e shitjes së një trualli publik prej 1310m për shoqërinë “Taiwan”.
Ministri Olldashi tha se, “do t’ju risjell edhe njëherë në vëmendje kontratën  e shitjes së kësaj pasurie të paluajtshme, ku çmimi i  shitjes është i përcaktuar në nenin 5 dhe është 12 mijë lekë të reja për m2, pra 120 mijë lekë të vjetra ose e përkthyer në valutë të fortë 97 euro për m2 për një truall në qendër të Tiranës”.
“Kam dëgjuar bashkinë e Tiranës, vijoi më tej Olldashi, që pas prononcimit tim doli dhe tha që,  ky është çmimi i tregut, ndërkohë që të gjithë e dimë që ky nuk është çmimi i tregut, sepse çmimi i truallit në qendër të Tiranës ka një diferencë shumë të madhe nga ai i që është servirur nga bshkia e Tiranës. Megjithëse për të provuar sesa i gënjeshtërt është pretendimi i bashkisë së Tiranës, unë do të përdor përsëri një shkresë të bashkisë së Tiranës” tha Ministri Olldashi.
Duke vijuar më tej me një shkresë me datën 29. 10. 2004, me nr. protokolli 10156, e firmosur nga Belinda Ikonomi, drejtore pranë bashkisë së Tiranës, Olldashi bëri të ditur, se, “Çështja që shtrohet në këtë shkresë ka të bej me çmimin e truallit që rrethon ish-hotel Dajtin , i cili në vitin 2004 u fut në proces shitje, pavarësisht se shitja nuk u krye dhe në vlerësimin e bashkisë së Tiranës çmimi me të cilin duhej të shitej trualli  përballë hotel Dajtit është 1500 Euro për m2”, vijoi Olldashi.
“Pra kemi këto fakte, në tetor të vitit 2004 bashkia e Tiranës, truallin  përballë hotel Dajtit e vlerëson me 1500 euro për m2, në maj 2005  katër muaj më vonë, çmimi matanë rrugës, në lulishten e Tajvanit e vlerëson me 97 Euro për m2. Atëherë çdo kush kam të drejtën të shtroj pyetjen, cili është  argumenti që shpjegon diferencën e tmerrshme nga 1500-ta tek 97-ta për troje publike që janë ekzaktësisht në të njëjtën zonë  përballë njëri – tjetrit” thekso Ministri Olldashi. Gjithashtu ai tha se cili është shkaku përveç faktit që Besnik Sula është një biznesmen i rrethit të interesave të Edi Ramës dhe ky çmim është vetëm një favor totalisht klientelist që kryetari i bashkisë i ka bërë ortakut të tij, politik apo qoftë financiar. Ato janë brenda të njëjtit kuadër ligjor, të bazuar në të njëjtat ligje, të bazuara në të njëjtat rregullore që funksiononin si dhe të bazuara në të njëjtat rregulla të përcaktimit të çmimit të truallit publik, dhe kemi njërën me 97 Euro dhe tjetrën me 1500 Euro. Pse? Sepse të parën do ta blinte Besnik Sula dhe të dytën  nuk dihej kush do ta blinte. “Pra për blerësin anonim aplikohet çmimi 1500 Euro, që është si çmim i përafërt me vlerën  e tregut, për klientin e Edi Ramës për Bensik Sulajn, aplikohet  çmimi 97 Euro ose 6.4 për qind e çmimit real. Në qoftë se i referohemi  çmimit prej 1500 Euro si çmim real i truallit në qendër të Tiranës, çmimi që është aplikuar për Besnik Sulajn, është vetëm  6.4 për qind e çmimit real”, saktësoi ndër të tjera Ministri Olldashi.
Në fund të konferencës Ministri vuri në dispozicion të gazetarëve, të dy dokumentet, të cilat bënin ekzaminimin në mënyrë të hollësishme të diferencës në standardet që aplikon bashkia e Tiranës ndaj atyre që janë klient dhe ndaj atyre që nuk janë klient të saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›