E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon kreu i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo: Udhë e Mbarë Edi Ramës, në protestat e tij vetmitare

Partia Socialiste do të zhvilloi protestat e fundit për vitin 2009 e vetme, ashtu siç ndodhi në qytetin e Durrësit dhe Beratit. Aleatët e PS, partitë e tjera opozitare nuk janë thirrur që të jenë pjesëmarrëse në valën e protestave të reja.
Me këtë vendim të tyre, socialistët kanë vendosur të bojkotojnë dhe aleatët përveç Kuvendit. Në protestën që selia rozë zhvilloi një ditë më parë në qytetin e Durrësit, si edhe dje në Berat, u vu re mungesa e aleatëve të vegjël të Partisë Socialiste, të cilët kanë qenë të pranishëm dhe kanë mbështetur aksionin politik të ndërmarrë nga kjo parti pas humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit.
Por në protestat e kësaj jave, aleatët nuk janë të ftuar. Nuk ka pasur asnjë lajmërim për partitë më të vogla për aksionin politik të së majtës, bënë të ditur Paskal Milo, kreu i Partisë Demokracia Sociale, i cili e ka pritur një ftesë deri vonë.
“Nuk kemi pasur asnjë informacion apo asnjë kontakt për mënyrën se si do të organizoheshin këto mitingje-proteste nga ana e PS, gjithnjë duke shkuar me bindjen që aleatët njoftohen zakonisht në fund. Ne kemi pritur një njoftim në fund, më konkretisht për dje paradite, por nuk e kemi pasur një gjë të tillë dhe për rrjedhojë nuk kemi qenë prezent në mitingun e PS të organizuar në qytetin e Durrësit. Përpos nevojës për konsultime reciproke ose për një informim minimal që aktivitetet PS ka vendosur t’i zhvillojë vetë dhe pa praninë e aleatëve”, deklaroi dje Milo.
Jo vetëm kaq, por Paskal Milo kryetar i Partisë Demokracia Sociale është shprehur disi i surprizuar nga vendimi i kryesocialistit Rama për të mos i njoftuar për zhvillimin e protestës së radhës, atë në qytetin e Durrësit pasditen e së hënës.
“Ishim në pritje të njoftimit dhe jemi të habitur nga mungesa e korrektësisë nga ana e Partisë Socialiste. Nëse kanë vendosur të protestojnë pa ne, na detyrohen të paktën një komunikim”.
I pyetur mbi vendimin që u mor në mbledhjen e pak ditëve më parë që Rama zhvilloi me aleatët, Milo tregon se, do të vijonin protestat, por se nuk ishte vendosur një kalendar.
“Në takimin e fundit të aleatëve, deklaroi Milo, është diskutuar në grup pa bërë dallime duke marre si të mirëqenë bashkëpunimin për protestat. Nuk ishte se ishte përcaktuar një kalendar veprimesh protestuese të kësaj natyre që po shohim dhe pas atij takimi nuk kemi pasur konsultime të tjera rreth mënyrës si do të veprojmë tani e në të ardhmen. Mosnjoftimi na erdhi i çuditshëm”, u shpreh Më tej, kreu i PDS-së, Paskal Milo.
Milo thotë se në ditët në vijim do të diskutojnë me partitë e tjera të majta për të marrë një vendim nëse do të mbështesin protestat e Partisë Socialiste apo nëse partitë e vogla të opozitës do të ndërmarrin një aksion politik që i përshtatet interesave të tyre, të cilat në këtë fazë mund të jenë të ndryshme nga interesat e selisë rozë. “Ndoshta gjatë ditëve në vijim do të kemi ndonjë takim që të sqarohemi për taktikat e reja që ka adoptuar PS për vazhdimin e protestave” , tha Milo.
Marrëdhëniet e partisë kryesore opozitare kanë qenë të ndërlikuara vazhdimisht duke nisur që me miratimin e Kodit Zgjedhor që u vu në zbatim në zgjedhjet parlamentare të qershorit, gjë që solli irritimin e të vegjëlve pas sistemi zgjedhor penalizonte ato. Pas zgjedhjeve partitë e koalicionit “Bashkimi për Ndryshim”, akuzuan drejtpërdrejtë PS se ishte kjo e cila kishte përvetësuar votat e aleatëve.
Ndërkohë, prej muajsh, lidershipi i PS-së, artikulon si shkak të vetëm zyrtar të humbjes së zgjedhjeve në 28 qershor, vjedhjen e votave, por sipas zërave ndryshe bashkëpunimi i keq me aleatet ishte një ndër shkaqet kryesore. Nga ana e PS u akuza se humbja erdhi si pasojë e mos funksionimit të koalicionit pasi aleatët nuk sollën rezultatin e pritshëm.
Mospjesëmarrja në protestat e parashikuara për muajin dhjetor duke se do jetë shkëndija për një tjetër valë mos bashkëpunimi të kampit opozitar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›