Rëndësi parësore rritja e investimeve private dhe e bizneseve egjiptiane
Kryeministri Berisha, takim Sekretar i Përgjithshëm i Fondit Egjiptian, Samah M. Sotouhi
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me Samah M. Sotouhi, Sekretar i Përgjithshëm i Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik.
Gjatë takimit Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë egjiptiane për ndihmën e dhënë qeverisë shqiptare, kryesisht në ofrimin e një numri të madh bursash trajnimi për rreth 2000 specialistë të Administratës Publike. Më tej Kryeministri theksoi rëndësinë që qeveria i jep thellimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi nëpërmjet realizimit të projekteve në fushat prioritare për qeverinë shqiptare ku përmendi bujqësinë dhe Shqipëria Digjitale.
Ndërsa Samah M. Sotouhi nga ana e tij, shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe takimet shumë të frytshme që ka zhvilluar me disa ministra të qeverisë gjatë kësaj vizite dhe i ritheksoi Kryeministrit Berisha se qeveria egjiptiane është e gatshme të mbështesë me financime dhe për këtë do të mirëpriste çdo propozim për projekte konkrete që mund të paraqiteshin pranë Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik.
Kryeministri theksoi se është e një rëndësie parësore rritja e numrit të investimeve private dhe bizneseve egjiptiane, si dhe siguroi se qeveria shqiptare ka krijuar një klimë biznesi shumë atraktive dhe të sigurt për investimet e huaja në Shqipëri.