E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Ja si e fali Edvin Rama tokën në Parkun “Rinia” për mikun e tij biznesmen

Konferenca e plotë për shtyp e ministrit të Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, lidhur me përdorimin e standardeve të dyfishta, nga ana e Bashkisë së Tiranës në shitjen e truallit publik në parkun “Rinia” për mikun e tij të shoqërisë “Tajvan”


Në vazhdimin e komunikimeve që ne kemi bërë sëbashku në lidhje me çështjen e shitjes së një trualli publik prej 1310m për shoqërinë Tajvan sh.p.k me pronar, Z.Besnik Sula, do doja të komunikoja me ju sot për disa fakte të reja.


Do t’ju risjell edhe njëherë në vëmendje kontratën e shitjes së kësaj pasurie të paluajtshme, ku çmimi i shitjes është i përcaktuar në nenin 5 dhe është 12 mijë lekë të reja për m2, pra 120 mijë lekë të vjetra ose e përkther në valutë të fortë 97 euro për m2 për një truall në qëndër të Tiranës. Kam dëgjuar bashkinë e Tiranës që pas prononcimit tim doli dhe tha që, ky është çmimi i tregut, ndërkohë që të gjithë e dimë që ky nuk është çmimi i tregut, sepse çmimi i truallit në qendër të Tiranës ka një diferencë shumë të madhe nga ai që është servirur nga Bashkia e Tiranës. Megjithatë, për të provuar sesa i gënjështërt është pretendimi i Bashkisë së Tiranës, unë do të përdor përsëri një shkresë të Bashkisë së Tiranës. Kjo është një shkresë me datën 29.10.2004, me nr. protokolli 10156, e firmosur nga Zj.Belinda Ikonomi, drejtore pranë Bashkisë së Tiranës. Çështja që shtrohet në këtë shkresë ka të beje me çmimin e truallit që rrethon ish-hotel Dajtin, i cili në vitin 2004 u fut në proces shitje, pavarësisht se shitja nuk u krye dhe në vlerësimin e Bashkisë së Tiranës çmimi me të cilin duhej të shitej trualli përballë hotel Dajtit është 1500 Euro për m2.


Pra kemi këto fakte, në tetor të vitit 2004 Bashkia e Tiranës, truallin përballë hotel Dajtit e vlerëson me 1500 euro për m2, në maj 2005, katër muaj më vonë, çmimi matanë rrugës, në lulishten e Tajvanit e vlerëson me 97 Euro për m2


Atëherë çdokush ka të drejtën të shtrojë pyetjen, cili është argumenti që shpjegon diferencën e tmerrshme nga 1500-ta tek 97-ta për troje publike që janë ekzaktësisht në të njëjtën zonë, përballë njëri-tjetrit. Cili është shkaku përveç faktit që Besnik Sula është një biznesmen i rrethit të interesave të Z.Rama dhe ky cmim është vetëm një favor totalisht klientelist që kryetari i bashkisë i ka bërë ortakut të tij, politik apo qoftë financiar. Janë brenda të njëjtit kuadër ligjor, të bazuar në të njëjtat ligje, të bazuara në të njëjtat rregullore që funksiononin si dhe të bazuara në të njëjtat rregulla të përcaktimit të çmimit të truallit publik, dhe kemi njërën me 97 Euro dhe tjetrën me 1500 Euro. Pse? Sepse të parën do ta blinte Besnik Sula dhe të dytën nuk dihej kush do ta blinte. Pra për blerësin anonim aplikohet çmimi 1500 Euro, që është si çmim i përafërt me vlerën e tregut, për klientin e Z.Rama, për Z.Sulo aplikohet çmimi 97 Euro ose 6.4 % e çmimit real. Nqs i referohemi çmimit prej 1500 Euro si çmim real i truallit në qendër të Tiranës, çmimi që është aplikuar për Z.Sula është vetëm 6.4 % e çmimit real. Po i vë medias në dispozicion të dy dokumentet, në mënyrë që ajo të ketë mundësi për t’i ekzaminuar në mënyrë të hollësishme dhe për të parë, se cila është diferenca në standardet që aplikon Bashkia e Tiranës ndaj atyre që janë klient dhe ndaj atyre që nuk janë klient të saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›