E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtarët politikë të gjejnë zgjidhje për normalizimin e institucioneve

Ambasadorët e Holandës dhe të OSBE-së, apel Edi Ramës, për tërheqje nga bojkoti

TIRANE – Sërish ndërkombëtarët i bëjnë thirrje Edi Ramës dhe PS-së, të heqë dorë nga rruga e bojkotit dhe të bëhet pjesë e zgjidhjeve, nëpërmjet përfshirjes në dialog. Diplomatët e qeverisë holandeze, Van den Dool dhe ai i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, kanë qenë ndërkombëtarët e radhës, të cilët duke komentuar analizën politike në Shqipëri, kanë rekomanduar që zgjidhjet duhet të vijë vetëm nga tryeza e dy partive kundërshtare politike.
“Javën e kaluar u kemi kërkuar të dyja palave ta moderojnë pak gjuhën, që të afrohen pak te njëri-tjetri, të bëjnë hapin e parë drejt njëri-tjetrit. Por deri tani këto këshilla shohim se nuk janë marrë parasysh”, deklaroi ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch.
Edhe ambasadori holandez, Van den Dool ka tërhequr vëmendjen për uljen në një tryezë të kundërshtarëve politikë.
“Për sa i përket situatës politike më duhet të them se duke përfshirë ambasadorin Withers, ambasadorin Bosch, ambasadorin Lohan dhe ambasadorë të tjerë se me fjalë të ndryshme ne kemi të njëjtin shqetësim. Të dy kundërshtarët kryesorë duhet të ulen në tavolinë, të flasin me njëri-tjetrin dhe të jeni të sigurt që ne nuk kemi për të bërë asnjë lloj sugjerimi. Ne presim që ata të dalin së shpejti me një zgjidhje që ta kthejnë edhe njëherë këtë demokraci në një demokraci funksionale”, u shpreh ambasadori holandez, Van den Dool.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›