E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama sulmon Berishën për akuzat ndaj tij

Kryetari i PS, Edi Rama (Foto: NOA)

Tiranë, 16 dhjetor 14:28 NOA – Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama reagoi sot pas mesdite lidhur me ligjin e dosjeve dhe sulmet që i bëri një ditë më parë kryeministri. Duke komentuar projektligjin, Rama tha se qëllimi i tij është jo dënimi i diktaturës së komunizmit, po e diktaturës së korrupsionit 

“Mbrëmë shqiptarët e shqiptaret patën rastin të shohin sekretarin e djeshëm të partisë së Enver Hoxhës dhe kryeministrin e sotëm të vendit, komunistin e vjetër dhe demokratin e flaktë Sali Berisha, në njërën prej shfaqjeve më të shëmtuara të politikës së vjetër të dyfytyrësisë”, - tha z.Rama në takimin e sotëm me mediat.

“I dyfytyri Sali Berisha, i cili në moshën time ishte ende shërbëtor në partinë e Enver Hoxhës, u tha mbrëmë shqiptarëve se unë, Edi Rama, paskam qenë i lidhur me diktaturën

dhe për t'i bindur shkeli mbi kujtimin e të ndjerit babait tim. Nuk është hera e parë që Sali Berisha prek të vdekurit e të gjallët e familjes sime as nuk jam unë i pari që duhet të përjetoj shijen e hidhur të kësaj politike të ndyrë urrejtjeje dhe që duhet të qetësoj nënën e djalin tim, të dhunuar nga gjuha e egër e njeriut që sot fatkeqësisht qeveris Shqipërinë. Por, nuk jam këtu as për të folur në emrin tim personal dhe as për të mbrojtur veten e familjen time pas një sulmi shtazarak të kundërshtarit tim politik nga ekranet e nga gazetat e komanduara prej tij”, - deklaroi kryetari i PS.

Ai theksoi më tej se “kur kam marrë përsipër të udhëheq betejën për ta larguar nga skena politike këtë monument të dyfytyrësisë së politikës së vjetër të 17 vjetëve tranzicion, i kam marrë parasysh të gjitha - që nga balta e pafundme e akuzave dhe shpifjeve mbi fytyrën time deri tek trazimi i të gjallëve dhe të vdekurve të familjes sime”.

Kurse sqaroi: “Unë jam këtu sepse nuk jam i vetmi që i preket familja nga ky njeri, sepse nuk jam as i pari dhe as i fundit që duhet të qetësojë prindin e fëmijën, pas dhunimit të familjes nga ky njeri, sepse kjo politikë që hyn çdo mbrëmje në shtëpitë e shqiptarëve për të mbjellë urrejtje, për të trazuar mendje e zemra prindërish e fëmijësh me egërsinë e saj, për të rënduar shpirtërisht e moralisht miliona njerëz që duan shpresë, zgjidhje për hallet e tyre, perspektivë për fëmijët e tyre, duhet të marrë fund”.

Rama sulmoi më tej Berishën kur tha se “duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse ndërkohë që në emër të të përndjekurve shkeli Kushtetutën vetëm e vetëm për të shkatërruar një pushtet gjyqësor që po heton qeverinë e tij,është kryeministri që ka një sekser serb,i cili,i vetëm,ka bërë me korrupsion në 3 vjetët e kësaj qeverisjeje, aq para sa do të duheshin për të dëmshpërblyer 3 milionë e 375 mijë ditë burgu politik ose 6 milionë e 750 mijë ditë internimi”.

a.l/NOA

Akuzat e Berishës ndaj Ramës, lexoni duke klikuar këtu: Lustracioni, Kushtetuesja dhe ...skuqja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›