E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oldashi: Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit e keq menaxhojnë ujin

Ministri i Transportit, Sokol Olldashi Tiranë, 16 Dhjetor, 11:57, NOA - Ministri i Transportit, Sokol Olldashi akuzoi sot bashkinë e Tiranës dhe atë të Durrësit se po keq-administrojnë ujësjellësit. Në mbledhjen e Entit rregullator të Ujit, Olldashi u shpreh se dy bashkitë më të mëdha në vend nuk marrin përgjegjësitë, por po e përdorin politikisht çështjen. Ujësjellësi i Durrësit ka deklaruar ditë më parë se është në prag të falimentimit, si pasojë e mos-pagimit të faturave.

Gjatë një workshop-i të organizuar të martën në MPPTT, mbi "Forcimin e rolit të Entit Rregullator të Ujit", ministri Olldashi tha se deri tani procesi i transferimit të shoqërive të Ujësjellësve është realizuar në masën 83 për qind.

"Procesi i transferimit duhet të kishte përfunduar tashmë dhe organet e pushtetit vendor duhet të kishin marrë përgjegjësitë për administrimin e tyre, por puna ka ngecur në dy bashkitë më të mëdha të vendit, atë të Tiranës dhe Durrësit", deklaroi Olldashi.

Sipas tij, "problemi bëhet edhe më i mprehtë nga fakti se rezulton të ketë një frymë totalisht demagogjike ndaj ujit nga disa segmente të pushtetit vendor, kryesisht nga bashkia e Tiranës, e cila ka shërbyer si model i keq edhe për bashkinë e Durrësit".

"Prej vitesh ka pasur thirrje nga bashkia e Tiranës drejtuar qeverisë për transferimin e sistemit dhe ka mëse një vit që ky sistem është transferuar pranë organeve të pushtetit lokal, por Bashkia e Tiranës nuk merr përsipër dhe tenton të luajë politikisht me një materie që nuk ka as ngjyrë, shije, as erë, sikurse është uji", deklaroi ministri Olldashi.

Kreu i MPPTT-së i bëri thirrje bashkisë së Tiranës "të marrë përsipër përgjegjësitë e veta dhe të jetë koherente me veten dhe të kryejë e të përmbushë detyrimet për të realizuar këtë proces, duke i dhënë fund lojës politike me ujin".

Në këtë linjë ai theksoi se do të ishte e padenjë që bashkia e Tiranës të spekulonte  me këtë problem dhe ta mbante peng për ta përdorur politikisht, diçka që nuk duhet përdorur politikisht, pasi, sipas tij, "uji shërbehet për të majtë e të djathtë si dhe për të vegjël e të mëdhenj".

NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›