Pas certifikimit të rezultatit, Rama harron KQZ-në, sulmon trupën e Kolegjit Zgjedhor

Pas 19 orë meditimi, Edvini u shfaq para publikut për të konfirmuar se ishte gjallë e që s’kishte marrë ende asnjë vendim për të ardhmen e tij politike Rama pranon humbjen, por s’heq dorë nga përbaltja e gjykatave
Kryetari i Partisë Socialiste dhe kandidati që humbi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës Edi Rama, pranoi dje rezultatin zgjedhor për kryeqytetin. Pasi ka lënë në plan të dytë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Edi Rama ndryshon kursin e akuzave politike, duke vërsulur mbi Kolegjin Zgjedhor llumin e përbaltjeve të dëshpërimit nga humbja e postit të kryetarit të bashkisë.
Edhe pse deri para 2 ditësh eksponentë të PS-së e vlerësuan trupën e Kolegjit si profesionale dhe me integritet të çmuar moral, shoqëror dhe qytetar, sot kjo trupë e drejtësisë, nuk ishte gjë tjetër veçse një paçavure që s’jep drejtësinë që duan kartelet e mafies financiare dhe të betonizimit të kryeqytetit shqiptar.
Sipas Ramës, vendimi i një dite më parë i Kolegjit Zgjedhor, për të legjitimuar fitoren e Lulzim Bashës në bashkinë e Tiranës, është i papranueshëm, ndërsa kërkoi ekspertizë ndërkombëtare për përputhje të vendimmarrjes ligjore të zgjedhjeve të 8 majit. “Ekspertiza ndërkombëtare është e vetmja shpresë, e ofruar kjo nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Le të vazhdojmë betejën duke besuar fort te e vërteta si dhe te rezistenca e pashembullt nëse e drejta do të merret peng nga vula e gjykatës, humbësi nuk mund të bëhet fitimtar dhe fitimtari nuk mund të humbasë. Fitorja jonë shkëlqen çdo ditë e më shumë. Ata që duan ta grabisin nxjerrin në dritë natyrën e këtij regjimi dhe problemin e vërtetë të këtij vendi që është në duart e pista të Saliut”, tha ai.
Sipas Ramës trupi gjykues që rrëzoi dje kërkesën e PS nuk dha arsyet e nevojshme, prandaj sipas kreut të opozitës ai vendim është kambana më e fortë e alarmit në dëm të demokracisë.
“Trupi gjykues nuk dha arsyet. Fjala e fundit në këtë betejë për drejtësinë nuk është thënë ende. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë të drejtën tonë. Ne do ti drejtohemi Kolegjit Zgjedhor në bazë të ligjit dhe demokracisë. Sot dua t’ju drejtohem miqve e partnerëve pasi vendimi i djeshëm është kambana më e fortë e humnerës ku mund të shkojë vendi, prandaj iu bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të ndërmarrin një ekspertizë për procesin”, shtoi Rama në fjalën e tij.
Sipas Ramës kriza politike thellohet më tej nga ky vendim, pasi siç nënvizoi kryesocialisti çdo shqiptar e pa fitoren e tij në Tiranë.
“Kjo rrugë thellon më tej krizën politike. Fitorja jonë në Tiranë u pa nga Shqipëria mbarë, ajo fitore shkëlqen çdo ditë e më shumë, sa më shumë ata që duan ta grabisin nxjerrin në pah padrejtësinë”, theksoi më tej kreu i PS-së.
Ai nuk i quajti të pavlefshme votat e numëruara nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, duke njohur kështu vlefshmërinë e tyre si dhe disfatën elektorale në Tiranë.
Ajo që Edi Rama s’mund të pranojë, është përgjegjësia personale që bie mbi të si kandidat i opozitës dhe mbi të gjitha si kryetari i saj.
Humbjen e tij tashmë e kanë njohur dhe legjitimuar jo vetëm institucionet ligjore, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë.