Kolegji ka dhënë verdiktin e formës së prerë - opozita planifikon të tjera ankimime
Pushimi i gjykimit në Kolegjin Zgjedhor për rezultatin e Tiranës për Partinë Socialiste nuk nënkupton fundin e çështjes.
Kolegji sipas tyre një ditë më parë ka dhënë vendim për ankimimin e procedurave të ndjekura nga KQZ për shpalljen e rezultatit të Tiranës, duke e ndarë këtë në dy pjesë, vendimin për rrëzimin e kërkesë- padisë së palës paditëse, Partia Socialiste e Shqipërisë për sa i përket kërkesës për konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të vendimit numër 709 datë 23. 05. 2011, palës së paditur KQZ në Tiranë dhe pushimin e gjykimit të çështjes lidhur me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme të nxjerrë nga pala e paditur, KQZ. Të dyja vendimet e Kolegjit kishin në thelb procedurën e ndjekur nga KQZ për mënyrën sesi ky institucion numëroi votat e kontestuara.
Ndërsa tani PS ka një tjetër mundësi apelimi. Ankesa e fundit që po përgatitet nga juristët e PS ka të bëjë me shpalljen e vendimit përfundimtar të KQZ mbi Tiranën. Deri tani PS-ja ka paditur në Kolegj Zgjedhor vetëm vendimet e ndërmjetme dhe aktet procedurale të lëshuara nga KQZ, ndërsa këtë herë socialistet janë duke përgatitur kërkesën që është edhe përfundimtare për ta, atë të shqyrtimit të vendimit përfundimtar të KQZ. Për të bërë këtë ankesë PS ka kohë vetëm sot, duke qenë se vendimi i KQZ është marrë të enjten, dhe ligji parashikon tre ditë kohë për ankimet.
Por me gjithë këtë hap të fundit, PS po e konsumon si rrugë institucionale pasi pas vendimit të së premtes, janë të pakta shpresat e Partisë Socialiste te Kolegji Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor ka dhënë vendimin e formës së prerë, duke pushuar kërkesën ankimore të Partisë Socialiste.