E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për fitoren e Bashës vendosën qytetarët e Tiranës - e majta të pranojë humbjen

05-06-2011 / Gazeta 55

Festime të ligjshme për përfundimin e një sfide të ngushtë elektorale. Kryeqyteti përgatitet për ndryshimin në bashkinë e tij, ndërkohë që Partia Demokratike ripërsërit pyetjen “pse Edi Rama vazhdon të jetë në të gjithë Shqipërinë i vetmi person i cili bën presion dhe kërcënon institucionet në një përpjekje për të shkatërruar procesin ligjor?”

“Partia Demokratike vazhdimisht është shprehur se cilido qoftë verdikti përfundimtar i këtij procesi, ne do ta respektojmë atë. E dimë që është e pamundur për Edi Ramën të pranojë një rezultat ku ai ka humbur, por rezultati është rezultat”. Kështu u shpreh dje zëdhënësja e selisë Blu, Albana Mustafaj përmes një konference për shtyp, mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Tiranën. Në vijim të këtij reagimi, Mustafaraj theksoi se në vitin 2009, ODIHR i ka tërhequr vërejtje Edi Ramës për “propagandim” në përpjekje që të siguronte një rezultat në favor të tij, jashtë kornizës institucionale.
“Është e qartë se ai dëshiron të bëjë të njëjtën gjë edhe sot, pavarësisht faktit se të gjithë e dinë se këto ishin zgjedhjet më të sakta dhe më të drejta në historinë e Shqipërisë”- u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mustafaraj. Më tej në këtë reagim drejtuar kreut të Partisë Socialiste Edi Ramës, ajo renditi një sërë pyetjesh për të cilat Rama duhet të japë përgjigje në lidhje me zgjedhjet e 8 majit dhe vendimit të marrë nga Kolegji Zgjedhor. Pse nuk e deklaron Edi Rama faktin se nuk dëshiron të numërohet çdo votë?Pse nuk e pranon Edi Rama përfundimisht faktin se ai dëshiron që zëri i qytetarëve të mbytet?Pse Edi Rama vazhdon të jetë në të gjithë Shqipërinë i vetmi person i cili bën presion dhe kërcënon institucionet në një përpjekje për të shkatërruar procesin ligjor?Pse Edi Rama përpiqet të errësojë dhe anatemojë vendimin unanim të një institucioni plotësisht jo-politik dhe të pavarur? Pse Edi Rama sulmon drejtësisë vetëm për faktin se ajo vendosi të numërojë çdo votë? Pse Edi Rama pretendon se krijon krizë një rezultat i ngushtë në procesin tonë demokratik, i cili u mbajt në mënyrë të drejtë, të lirë dhe transparente?”, shtroi publikisht këto pyetje, zëdhënësja e selisë blu, Mustafaraj.
Më tej ajo ka nënvizuar faktin  se pavarësisht se çfarë mund të thotë kreu i PS-së, Edi Rama, të gjithë qytetarët e dinë se nuk është Gjykata ajo që vendosi për këto zgjedhje, por janë vetë kryeqytetasit.
Mustafaraj në emër të Partisë Demokratike i ka bërë thirrje publike zotit Rama që të heqë dorë nga çdo lloj presioni nga institucionet e pavarura kushtetuese të vendit.
“Ndërkohë që procesi ende vazhdon, të gjitha palët duhet të pranojnë rezultatin që buron vetëm nga zëri i qytetarëve”, përfundoi zëdhënësja e selisë së PD-së, Albana Mustafaraj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›