Edi Rama tenton të lajë mëkatet kundra natyrës
Pelegrinazh politik në 19-vjetorin e ndërrimit të lëkurës, por zakoni ateist mbetet
Në Lezhë, aty ku u përkujtua 19-vjetori i ndërrimit të lëkurës së kuqe komuniste në atë rozë socialiste, Edi Rama darkoi tek restoranti simbolik “Dashi”, me të gjithë entourage-in, për të parë video-orgjinë me klipin heroik “Greva e urisë përpara do të na shpjerë”. Për kronikë realiste mes 45 deputetëve festues kishte edhe dy humoristë që intervistuan nën petkun e artistit Edi Ramën mbi ereksionet artistike me fasadat e pallateve në Tiranë. Mes shumë pyetjesh e pak përgjigjesh, në një moment ai u nervozua shumë me pyetjen nëse kishte një lidhje të projekteve holandeze “favelas painting” që po ngjyejnë periferitë e Rio de Janiero me kthimin e Tiranës në një identitet fshataresk.
Gjithsesi ky “incident” gati artistik nuk e ndaloi oreksin e tij për kaviar rus dhe tentakula oktapodi të kuq, aq sa mjekja e grevës së urisë Alketa Hila i sugjeroi për një tretje të mirë Ramës të bënte bashkërisht një kros të lehtë vrapimi për të zgjuar metabolizmin e tij të dobët. Të gjendur përpara nevojës për të shpejtuar grishjen e ushqimit, Edi Rama propozoi të shkonin në Laç, për të kërkuar larjen e mëkateve “Natën e Shna Noit”, bash atëhere kur shumë besimtarë kalojnë gjithë natën rreth mureve të kësaj kishe. Pelegrinazhi i ideuar për të fshehur ateistin permanent të edukuar në familje, ka shkaktuar shqetësime ndër deputetë të painformuar. Mungonte Moz Ruçi, i cili po darkonte në Tepelenë, sipas informatave që kishin reporterët e informuar me sms nga vetë Rama. Por në të vërtetë ai nuk ishte thirrur në pelegrinazh, sepse përfaqëson simbolikisht regjimin që i vuri kazmën Kishës së Laçit, prandaj Rama preferoi ta linnte pushim.
Afërmendsh neuro-marketingu i Edi Ramës synon sugjestionimin e opinionit publik se nuk jemi bllokmenë, sepse ne të “rinjtë” nuk jemi si “etërit” tanë që ekzekutuan “revolucionin kulturor” me prishjen e kishave, teqeve e xhamive. Ne kemi aq buon-sens saqë shkojmë në Kishë, për t’u falur ndaj perëndisë për mëkatet e PPSH.
Sidoqoftë politika e fasadave nuk mund të thurë një realitet virtual, pasi shqiptarët e dinë se PS është pasojë e drejtpërdrejtë e legjioneve të krimit komunist, ajo është endé peng e luftës së klasave. Intelektuali anti-komunist Luan Myftiu, në një shkrim të paradokohësh e ka cilësuar tepër mirë kompleksin e mëkatarin që ka Partia Socialiste, se ajo mbetet “E papenduar për zullumet, është bërë simbol i shpifjes, akuzave false dhe “justifikimit” të çdo padrejtësie. Edukuar me frymë pushteti absolut, nuk po pranon humbjen, as verdiktin final të institucioneve për zgjedhjet, as barazínë e saj para ligjit me kundërshtarët”.
Gjenerata e dytë e Bllokut dhe kryetari i tyre, Edi Rama, nuk ka kërkuar falje për gjynahet dhe krimet e etërve të tyre që janë përlyer në krimet monstruoze gjatë regjimit komunist.
Nuk ka ujë të bekuar që pastron figurën e tij si dhunues i grave të jetës së tij. Nuk ka ujë të bekuar që bekon politikat e tij disfatiste e dhunuese të interesave të qytetarëve. Nuk ka ujë të bekuar që e liron nga përgjegjësia e lodhjes dhe e stresit që krijon me veprimet dhe mosveprimet e tij.
Gjithashtu defteri i mëkateve është i gjatë edhe me anëtarë të tjerë të udhëheqjes së PS-së, që gjenden nën akuza kriminale. Ka një lidhje klientelizmi në kartelin e ndërtimit; njëri udhëheqës i lidhur me tjetrin dhe më në fund me Ramën. Nuk mund të ekzistojë dikush në atë grupim, nëqoftëse nuk ka gisht në një mëkat të madh. Ministrat që kanë nënshkruar trafikun e armëve ndodhen në kryesinë e PS; këta bëjnë herë si patriotë, herë si tiranë, por mbeten trafikantë. Ish-ministra të tjerë të shpallur të korruptuar, janë strehuar në udhëheqjen e Partisë Socialiste duke krijuar një zinxhir të rrezikshëm antinjeri për nesër