Rama, një politikan i paralizuar

Qershori është një muaj vendimesh për PS, qoftë për reformat në parlament, qoftë për vendimin e vizave e qoftë për kursin e ardhshëm politik, por Edi Rama është krejt i paralizuar politikisht, prandaj po bën çmos që muaji politik të shtyhet në paqe. Për këtë, ai po zbaton një sjellje servile ndaj kundërshtarëve brenda partisë, derisa të vijnë pushimet, kohë kur do përgatisë fazën e fundit të zëvendësimit të drejtimit të partisë, nga oborri i tij privat
Krijimi i realiteteve virtuale po shndërrohet në alternativën e vetme të Edi Ramës, për të mbetur gjallë në politikë. Paraliza e krijuar pas sosjes së “rezistencës” së kutive, me palo-protestat e palo-grevën e urisë, ka sjellë edhe ndryshimin e sjelljes politike të Edvinit. I trembur nga ndonjë trazirë brenda struktuarve partiake, të cilat do t’i rrënonin agjendën politike, Edi Rama po e mban gjendjen pezull, në të ashtuquajturin bashkëpunim politik apo thyerje të bojkotit për hir të interesave të vendit. Paraliza politike e Edi Ramës po shoqërohet me një sjellje të pështirë servile ndaj të gjithë atyre faktorëve politikë, që rrezikojnë t’i prishin qetësinë, përpara se ai të vendosë vetë të ndërmarrë hapin tjetër, atë të shpalljes së alterantivave të reja në zgjedhjet vendore - gjithmonë, jo nga PS, por nga oborri i tij privat e klientelist. Dreka e pardjeshme në Lezhë, pelegrinazhi në Laç, përpjekja për t’u afruar me ata kritikë të së shkuarës, apo edhe për të ndarë struktura me ta është vetëm një pjesë e peizazhit që po shoqëron paralizën politike të Edi Ramës. Në këtë tablo sinoptike spikat gjithsesi deklarata e kryetarit socialist të minibashkisë nr 7, Pandeli Sara, i cili paranjoftoi publikun se Edi Rama s’ka ndërmend të kandidojë më për në bashkinë e Tiranës. Paralelisht me këtë, deputeti Kastriot Islami bënte analizën e kësaj gjase, duke e lidhur tollovinë e tanishme me përpjekjen për të fituar kohë, derisa asgjë të mos mund të ndryshohet dhe Edi Rama, gjithmonë në emër të kauzës partiake, të shpallë tërheqjen nga bashkia dhe emërimin si kandidat (merret vesh, për ta promovuar, pasi raundi elektoral do të humbet), të një delfini, që do të mund t’i duhet në përplasjet e ardhshme partiake. Kjo dorëheqje e shkallës së parë, shërben për të zbutur disi tensionet, por së pari duhet për të fituar kohë. Edi Rama ka një nevojë jetike për kohë, derisa të përfundojë sesioni parlamentar i pranverës. Këto janë kohë vendimesh politike, kohë nismash, pra, janë kohë për një politikan, dhe jo kohë për Edi Ramën. Tani duhet sqaruar opinioni i opozitës lidhur me institucionet, duhet sqaruar qëndrimi i saj përballë reformave konsensuale që kërkon Europa, duhet që të riparohen disi edhe marrëdhëniet me vetë Europën, por para së gjithash duhet sqaruar qëndrimi i PS ndaj procesit të liberalizimit të vizave. Në të gjitha këto linja, PS-ja e Edi Ramës është investuar mbrapsht, prandaj ai sot gjendet në paralizë, meqenëse tërheqja do të sillte kosto politike, ndërkohë që vijimi i tyre po e konfirmon përditë pafuqinë e vet. Në këtë paralizë të plotë politike, Edi Rama i është kthyer politikës së lëpirjes, politikës së marrjes me të mirë, dhe pasoja të kësaj metamorfoze janë edhe drekat pa kuptim edhe “kritikat” krejt pakuptim për ekonominë. Politikani i paralizuar ka nevojë për kohë, prandaj edhe ai po lutet përditë që sesioni parlamentar i pranverës dhe presidenca spanjolle të mbyllen menjëherë. Gjithsesi, një vendim për seancën e 17 qershorit, kur votohen dekretet e presidentit ai duhet ta marrë, e po ashtu edhe duhet të presë një ndëshkim, për sjelljen aspak bashkëpunuese me institucionet e Bashkimit Europian që ka pasur në këto 6 muaj të presidencës, që në Tiranë u përfaqësua nga ambasadori Montobio.
...