“Edi Rama t’i drejtohet Komisionit të Venecias, nëse vërtetë kërkon transparencën e zgjedhjeve”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta
Kryediplomati shqiptar Ilir Meta, i sugjeroi edhe njëherë Edi Ramës që për kërkesat e artikuluara nga opozita, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Komisionit të Venecias.
Sipas Metës, ngërçi politik në vend, mund të zgjidhet vetëm duke respektuar kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Deklarata e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Meta vjen në një kohë kur Këshilli i Evropës, i ka apeluar një tjetër thirrje opozitës shqiptare, lidhur me kërkesat e saj, për zgjedhjet e 28 qershorit.
“Natyrisht që ka një problem dhe ne nuk kemi asnjë arsye për ta fshehur apo për ta shmangur atë. Përkundrazi kemi gjithë vullnetin për ta zgjidhur në mënyrë konstruktive.
Ndërsa për çështjen e hapjes së kutive, për të cilat nuk ekziston një marrëveshje për shkak të qëndrimeve të ndryshme lidhur me atë të pajtimit apo jo me Kushtetutën, ne e kemi bërë të qartë që rruga e vetme për ta zgjidhur këtë çështje është që Opozita ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe të respektojë vullnetin e Gjykatës, ashtu sikurse kemi qenë të hapur, dhe e kemi bërë të ditur se ne do ti nxisim që Opozita ti drejtohet edhe Komisionit të Venecias”, deklaroi Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.