E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia mbështet heqjen e menjëhershme të regjimit të vizave për shqiptarët

Zëvendësministrja e Jashtme, Harxhi, takon nënsekretarin italian të Ministrisë së Jashtme

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, priti dje një takim nënsekretarin e Punëve të Jashtme të Republikës italiane, Senatorin Alfredo Mantica.
Gjatë takimit, u diskutua mbi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, bashkëpunimin rajonal si dhe mbi procesin e integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
Gjithashtu u bisedua edhe mbi përgatitjet që po bëhen në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme për mbulimin reciprok diplomatik.
Në kuadër të Nismave rajonale u diskutua mbi organizimin e Takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Nismës së Adriatikut dhe Jonit (NAJ), që do të zhvillohet më datë 5 Maj 2010, në Ankona të Italisë.
Në këtë Ministerial, pritet rilançimi i Nismës Adriatiko-Joniane dhe pritet të shprehet mbështetja politike për Projektin e Strategjisë Evropiane të makro-rajonit Adriatiko-Jonian. Dy palët shprehën bindjen se rivitalizimi i kësaj nisme me një strategji konkrete të bashkëpunimit mes 8 vendeve anëtare, tre prej të cilëve janë anëtare të BE-së, do të lehtësojë procesin e integrimit evropian të vendeve të tjera jo-anëtare.
Në përfundim të takimit, Mantica e informoi Harxhin rreth iniciativës së fundit të Ministrit Frattini, i cili së bashku me disa Ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, kanë kërkuar nga Komisioni Evropian përmbylljen sa më të shpejtë të procedurave të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.
Harxhi nga ana e saj, në emër të qeverisë shqiptare, e falënderoi Mantica për mbështetjen e fuqishme të Italisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›