Edi Rama tmerrohet në Kukës, nuk e shikon as nga larg rrugën e triumfit të shqiptarëve
Komplekset e Edvinit janë zbuluar gjatë e gjerë dje në Kukës, kur i frikësuar nga dashuria e kuksianëve për rrugën që bashkon shqiptarët, s’ka guxuar të flasë kundër saj, por nga ana tjetër, ka refuzuar ta vizitojë atë. Duke ia ndjerë efektin perj së largu, urrejtja i ka shpjeguar atij se përfundimi i rrugës do të regjistrojë edhe fundin e tij politik
TIRANE - Edi Rama, brenda një harku kohor disa ditorë, shkoi sërish në Kukës, por i kompleksuar nga suksesi i ndërtimit të rrugës Durrës-Morinë, sërish ai nuk mori mundimin të vizitonte këtë vepër madhështore dhe të inspektonte punimet e saj.
Pavarësisht fobisë që ai nuk e fsheh dot, Edi Rama, i cili ende nuk e di ku bie “gjurma” e re e rrugës Durrës - Kukës, mori guximin në vizitën më të fundit nga qyteti verior, që të “premtonte”, përfundimin e saj, por sigurisht në qoftë se do të fitojë zgjedhjet e qershorit të këtij viti.
“Rrugën Durrës- Kukës do ta përfundojmë ne”, u shpreh Edi Rama dje nga Kukësi.
Pa fshehur zemërimin për shuplakën që Gjykata e Lartë i dha dy ditë më parë, dosjes politike të Prokurorisë për abuzimet e supozuara me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, Edi Rama, reagoi ndaj këtij vendimi me disa fraza pa lidhje e pakuptimtë, që më shumë tingëllonin si presion ndaj prokurorisë për të rihapur dosjen.
Gjatë takimit me banorët e qytetit të Kukësit kryesocialisti Edi Rama tha se flamuri nuk duhet përdorur si “thes që fsheh paratë e rrugës. Rruga Durrës-Kukës, vazhdoi më tej Rama është rruga e kombit dhe jo e politikës”.
Mes mllefit për atë që dosja rrugës Durrës - Kukës, nuk do të jetë më argument politik për të bërë llogje opozita, Rama, i cili ende me sa duket beson “te abuzimet” me këtë rrugë, deklaroi midis të tjerave se, “Kurrë nuk do të jemi kundër rrugës por kundër abuzimit”.
Në të njëjtën linjë ka qenë dje edhe ish-Ministri i Financave, Arben Malaj, i pyetur mbi këtë çështje. Deputeti socialist ka deklaruar se hetimi për këtë rrugë duhet thelluar pasi ”kemi të bëjmë me një rast të pastër korrupsioni”.
Sipas tij procesi për hetimet e rrugës Durrës-Kukës, duhet thelluar.
Dy ditë më parë, Gjykata e Lartë vendosi që Lulzim Basha bashkë me ish-drejtorin Juridik të Ministrisë së Transporteve Andi Toma, të çliroheshin nga akuzat e ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme. Në vendim thuhet se jo vetëm të gjitha veprimet e prokurorisë shpallen nul, porse ajo kishte shkelur jo vetëm afatet, por edhe Kushtetutën, në akuzën e formuluar ndaj Bashës, për shkelje të barazisë në tendera.