“Premtimet që ne bëmë u kthyen në realitet”

Kryetarja e Kuvendit vijoi dje takimet në komunat e Shkodrës
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në kuadër të turit “NATO, ne ia dolëm” është ndalur ditën e djeshme në Postribë, në rrethin e Shkodrës, vendi ku për herë të parë nisi rezistenca antikomuniste në Evropë. Kryetarja e Kuvendit ndau me banorët e Postribës gëzimin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ngjarje të cilën këta banorë e përjetuan më fort se askush tjetër në Shqipëri, pasi në këtë komunë, me dhjetëra burra e gra u pushkatuan, u burgosën dhe u persekutuan nga një prej regjimeve më të egra të njerëzimit, komunizmit. Kryetarja e kuvendit tha se Shqipëria në NATO është një premtim i tejkaluar, sepse katër vite më parë Kryeministri Berisha kishte premtuar marrjen e ftesës në NATO.
“Ne kemi tejkaluar këtë premtim, për një arsye të thjeshtë, sepse qeveria dhe mazhoranca e sotme është serioze me çdo qytetar”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
“Premtimet që ne bëmë gjatë fushatës elektorale në fund të katërvjeçarit kthehen në realitet. Realitete që preken, shihen, admirohen”.
Gjatë vizitës në Postribë Kryetarja e Kuvendit, u njoh me investimet e konsiderueshme që janë kryer dhe po vazhdojnë në këtë komunë, si rikonstruksioni i qendrës së komunës, rikonstruksioni në rrugën e Kalasë së Drishtit, Kodër-Vorpsit, ndërtimi i ujësjellësit të Vorpsit etj.
“Kudo që kam shkuar unë kam parë se investimet janë pesëfish-dhjetëfish më shumë sesa në periudhën tjetër. Ndërsa në komunën tuaj e kam të vështirë të bëj llogaritë, sepse në periudhën tjetër kishte zero investime. Partia Socialiste gjatë qeverisjes së saj nuk ka dhënë as 1 milion lekë për komunën e Postribës. Tani investimet janë 2 milionë dollarë
Unë këtu premtoj se këto projekte që ju keni filluar, parashikuar për vitin 2009, Sali Berisha do t’i plotësojë, do t’i realizojë dhe në fund të vitit të parë të mandatit të ardhshëm, ato do të kthehen në një realitet të prekshëm”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Në Postribë, kryetarja e Kuvendit konfirmoi sërish se mazhoranca e djathtë në fundin e vitit të parë të mandatit të ardhshëm do të bëjë të mundur që qytetarët shqiptarë të lëvizin pa viza.
Duke vlerësuar besimin që banorët e Postribës i kanë dhënë dhe i japin reformave të mazhorancës së djathtë, kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se ata dhe të gjithë shqiptarët do të vazhdojnë të mbështesin projektin e zhvillimeve të mëdha ekonomike, projektin e madh të Shqipërisë që po ndryshon.
“Ju në përgjithësi jeni qytetarë me një nerv të madh politik, ndiqni çdo gjë që ndodh dhe ndjekësve më të mirë të politikës unë do t’u bëja një pyetje: A mbani mend gjatë gjithë dialogut të Edi Ramës në Shqipëri apo nga inciklikat e Edi Ramës, mbani mend ju të ketë thënë ndonjë koncept, një frazë, të ketë dhënë një ide, të ketë thënë një fjalë që ka mbetur në mendjen tuaj? Dhe a dini pse nuk mbani mend asnjë frazë? Sepse ai nuk ka asnjë koncept dhe asnjë ide. Me përjashtim të një koncepti, të konceptit të lejeve të ndërtimit”.
Gruda dhe Guri Zi, ishin dy komunat e tjera ku Kryetarja e Kuvendit vijoi takimet me banorët e këtyre rrethinave të qytetit të Shkodrës.
Duke u shprehur mirënjohjen për mbështetjen që banorët e këtyre komunave u japin reformave për ndryshim, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se, “këto katër vite kanë qenë periudhë e sfidave të mëdha, periudhë e vështirë e reformave të paimagjinueshme, por edhe e sukseseve të mëdha, e rezultateve të shkëlqyeshme, periudha që e ktheu Shqipërinë në një imazh tjetër, e bëri më të nderuar, më të respektuar, si të gjitha vendet evropiane dhe më përtej”.