“Qytetarët që nuk aplikojnë para 28 qershorit, nuk përfitojnë lehtësirat e uljes së çmimit”

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, saktëson se kartat e identitetit janë të vlefshme për një kohë të gjatë edhe pas zgjedhjeve
Ministri i Brendshëm e cilësoi të paprecedent propozimin e opozitës për shpërndarjen falas të kartave të identitetit. Sipas tij, letërnjoftimi elektronik, i cili nuk do të shërbejë vetëm për zgjedhje, si një produkt i standardeve të larta, ka një kosto. Deri dje kanë aplikuar për të marrë letërnjoftimin e ri elektronik 471 mijë shtetas, ndërsa janë arritur që të prodhohen 380 mijë karta të tilla
TIRANE - Letërnjoftimi elektronik nuk është i vlefshëm vetëm për zgjedhje, por është edhe një dokument i rëndësishëm, që do t’u shërbejë qytetarëve për një kohë të gjatë, ndaj dhe ata duhet që të pajisen pa humbur kohë më të.
Kështu është shprehur dje Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në lidhje me këtë çështje. Nishani shprehu edhe një herë vendosmërinë se të gjithë qytetarët që nuk disponojnë pasaportën për jashtë vendit, do të pajisen me letërnjoftimet elektronike përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas tij, qeveria i ka marrë të gjitha masat për të lehtësuar këtë proçes, duke ulur çmimin e letërnjoftimit për kategoritë e caktuara dhe duke ofruar transport për ata që jetojnë në fshatra larg komunave.
Ndërkaq ai saktësoi se “nëse këta qytetarë, që përfitojnë nga këto lehtësira, do ta neglizhojnë këtë vendim të qeverisë, dhe do të shkojnë përtej kohës së përcaktuar, ata nuk do t’i përfitojnë këto lehtësira”.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm e cilësoi të paprecedent propozimin e opozitës për shpërndarjen falas të kartave të identitetit. Sipas tij, letërnjoftimi elektronik, i cili nuk do të shërbejë vetëm për zgjedhje, si një produkt i standardeve të larta, ka një kosto.
“Çdo qytetar, për një produkt, i cili ka një kosto dhe një vlerë, duhet të paguajë për ta bërë të tijin këtë dokument. Vetëm në bashkinë e Tiranës janë të identifikuar 80 mijë shtetas pa pasaportë, 60 mijë prej të cilëve kanë aplikuar për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik”, vlerësoi ministri.
Nishani ritheksoi edhe një herë se do të penalizohen “të gjithë ata punonjës të gjendjes civile, që kushtëzojnë dhënien e certifikatave me pagesën e taksave lokale, duke penguar qytetarët për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik”.
Ndërkaq Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinant Poni, ka konfirmuar se deri dje kanë aplikuar për të marrë letërnjoftimin e ri elektronik 471 mijë shtetas, ndërsa janë arritur që të prodhohen 380 mijë karta të tilla.
Sipas Ponit nga sasia e letërnjoftimeve të prodhuara deri tani, 260 mijë të tilla janë të gatshme për t’ju shpërndarë shtetasve shqiptarë. Nga kjo sasi, sipas zëvendësministrit të Brendshëm, janë tërhequr 120 mijë të tilla, për të cilën zëvendësministri Poni, u bën edhe një herë thirrje të gjithë atyre shtetasve, që kanë aplikuar deri në 20 mars, të tërheqin letërnjoftimet e tyre, pranë zyrave ku ata kanë aplikuar.
Procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me kantatat e identitetit filloi në 12 janar 2009. Krijimi i Regjistrit Kombëtar, paralelisht me procesin e kartave të identitetit, krijoi mundësinë që procesi i pajisjes së shtetasve me letërnjoftimet elektronike, t'i marrë automatikisht të dhënat për shtetasit. Në të gjithë vendin funksionojnë on-line 354 zyra të gjendjes civile. Letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike prodhohen në Qendrën Kombëtare të Personalizimit të Dokumenteve Elektronikë, për t’u shpërndarë më tej edhe në skajin më të largët të vendit. Kapacitetet aktuale për prodhimin e letërnjoftimeve elektronike janë mbi 20 mijë të tilla në ditë, dhe paralelisht me prodhimin e tyre vijon edhe procesi i prodhimit të pasaportave biometrike. Për shpërndarjen e këtyre dokumenteve, janë ngritur ambiente të tjera, veç atyre të aplikimit.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, është ngritur Agjencia e Firmës Elektronike, e cila ka për detyrë të bëjë certifikimin e të gjithë numrave të identitetit të letërnjoftimeve elektronike të lëshuara nga koncesionari. Këto dokumente elektronike kanë një numër unik dhe përmbajnë të dhëna demografike dhe biometrike, si portreti i plotë i aplikuesit, firma dixhitale si dhe shenjat e dhjetë gishtave të duarve.
Pajisja e shtetasve shqiptarë me letërnjoftime elektronike, është e lidhur ngushtë me Kodin e ri Zgjedhor, i cili përcakton se votuesit në zgjedhjet e përgjithshme të 28 Qershorit 2009, do të jenë të detyruar të votojnë vetëm me dy dokumente të rëndësishme, letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat aktuale për udhëtim jashtë shtetit.