Edi Rama u premton shqiptarëve lugën e floririt të Babë Myslymit

Reagon Partia Demokratike për programin e Partisë Socialiste
TIRANE - Partia Demokratike reagoi dje nëpërmjet zëdhënëses, duke deklaruar se Edi Rama pasi mbajti të fshehur 1 vit rresht programin e Partisë së tij, doli para publikut me një program duke iu premtuar shqiptarëve lugën e floririt të Babë Myslymit.
Zëdhënësja e selisë së PD-ës, u shpreh se “Edi Rama u premtoi shqiptarëve se do të rregullojë shëndetësinë duke hequr sigurimet shëndetësore, një sistem ky i cili qëndron në bazë të financimit të shëndetësisë të të gjitha vendeve demokratike, pra se do t’u rikthej modelin pa sigurime që ishte në kohën e diktaturës, u premtoi shqiptarëve se do krijojë ministrinë e fshatit pasi sipas tij Ministria e Bujqësisë qenka ministri e qytetit, u premtoi shqiptarëve se do luftojë korrupsionin dhe si dëshmi për këtë iu paraqiti atyre 30 lejet e dhëna Delijorgjit dhe 59 lejet që ndau me Ledi Shkrelin dhe Alban Eftimin. Pra u premtoi shqiptarëve një qeveri që do të merret me hallet e tyre ndërsa vetë do të merret me lejet e ndërtimit, deklaroi zëdhënësja e PD-ës ndërsa shtoi se “Rama u premtoi shqiptarëve se do të ulë taksat ndërkohë që ka 2-3 fishuar taksat në bashkinë e tij dhe po i shpërdoron ato”.
“Rama u premtoi shqiptarëve se do të luftojë krimin e organizuar ndërkohë që emri i tij figuron në dosjen e Dondollakut në Itali e në dosje të tjera në Spanjë”, shtoi zëdhënësaj.
Më tej, zëdhënësja e PD-ës apeloi që Rama të japë dorëheqjen nga kryetar bashkie urgjentisht dhe të kryesojë listën e partisë së tij.
“Të çlirohet nga ankthi e frika për të pranuar verdiktin e 28 Qershorit, verdiktin dhe humbjen që qytetarët shqiptarë do t’i rezervojnë në zgjedhjet e ardhshme”, nënvizoi zëdhënësja e PD-së.