Selia blu: Programi i Edvinit, me premtime boshe, si luga e Babë Myslymit
Reagimi i plotë i zëdhënëses së Partisë Demokratike, pak pasi Edvin Rama shpalli në një aktivitet jonormal ato që ai i quajti program për qeverisjen e nesërme të tij
Sot Edi Rama pasi mbajti të fshehur 1 vit rresht programin e Partisë së tij, doli para publikut me një program i cili dallonte nga elementë si: Realizime të programit Berisha të viteve 92-96; Premtime boshe të Fatos Nanos për 200 mijë vende pune.
Ai premtoi sot shqiptarëve lugën e floririt të Babë Myslymit. Ai u premtoi shqiptarëve se do të rregullojë shëndetsinë duke hequr sigurimet shëndetsore, një sistem ky i cili qëndron në bazë të financimit të shëndetësisë të të gjitha vendeve demokratike, pra se do tu rikthej modelin pa sigurime që ishte në kohën e diktaturës.
Ai u premtoi shqiptarëve se do krijojë ministrinë e fshatit pasi sipas tij Ministria e Bujqësisë qënka ministri e qytetit.
Rama u premtoi shqiptarëve se do luftojë korrupsionin dhe si dëshmi për këtë iu paraqiti atyre 30 lejet e dhëna Delijorgjit dhe 59 lejet që ndau me Ledi Shkrelin dhe Alban Eftimin. Pra u premtoi shqiptarëve një qeveri që do të merret me hallet e tyre ndërsa vetë do të merret me lejet e ndërtimit.
Rama u premtoi shqiptarëve se do të ulë taksat ndërkohë që ka 2-3 fishuar taksat në Bashkinë e tij dhe po i shpërdoron ato. Rama u premtoi shqiptarëve se do të luftojë krimin e organizuar ndërkohë që emri i tij figuron në dosjen e Dondollakut në Itali e në dosje të tjera në Spanjë.
Partia Demokratike i kërkon Z.Rama të japë dorëheqjen nga Kryetar Bashkie urgjentisht dhe të kryesojë listën e partisë së tij. Të çlirohet nga ankthi e frika për të pranuar verdiktin e 28 Qershorit, verdiktin dhe humbjen që qytetarët shqiptarë do t’i rezervojnë në zgjedhjet e ardhshme.